Teksa në Kuvend është zhvilluar seanca konstituive, jashtë tij, qytetarë të shumtë mbajtën protestë kundër vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës. Ata u adresuan thirrje deputetëve tanimë të betuar që menjëherë pas formimit të institucioneve të merret vendim për shkarkimin e bordit të ZRRE-së dhe që vendimi i tij të shfuqizohet
Qytetarë dhe aktivistë e kundërshtuan për të tretën herë të shtunën vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16.1 për qind, me protestën e mbajtur para objektit të Kuvendit të Kosovës.
Në këtë protestë, që u mbajt teksa në Kuvend po zhvillohej seanca konstituive, organizatorët u adresuan thirrje deputetëve të betuar që pas formimit të institucioneve të ndërmerren veprime në funksion të shkarkimit të bordit të ZRRE-së.
E në rast se kjo nuk ndodh, organizatori i protestës, Besnik Shabiu, paralajmëroi masa.
“Presim që sot të marrim një lajm pozitiv dhe konstituimi i Kuvendit të na dërgojë drejtë shkarkimit të bordit të ZRRE-së dhe pas shkarkimit të kthehet mbrapa edhe vendimi për rritjen për 16.1 për qind të çmimit të energjisë. Nëse kjo nuk do të ndodh, fatkeqësisht nuk po e them me dëshirën timen e as të tuajën, do të detyrohemi të bllokojmë secilin institucion”, ka thënë Shabiu.
E prej objektit të Kuvendit, protestuesit që bartën pankarte me mbishkrime: “Asnjë cent më shumë”, “Stop vjedhjes me tarifa”, “Kur s’të del për bukë, nuk të del as drita”, “Fatura jonë, pasuria juaj”, “Kjo nuk është jetë, është mbijetesë”, marshuan drejt zyrave të Ministrisë së Ekonomisë.
Këtë dikaster qeveritar, aktivisti Luan Hasanaj e fajësoi për mbështetje të rritjes së çmimit të rrymës.
“Ajo është vërë në krah me ata të cilët po duan të na varfërojnë dhe ne jemi sot këtu përsëri para tyre për t’ju thënë që ne nuk do të heshtim. Nuk ka lidhje a jemi shumë a pak? Ne jemi ata që nuk do ta ndalim zërin tonë, ne do të bëhemi edhe më shumë”, ka thënë Hasanaj.
E qytetarët pjesëmarrës në protestë shprehën ankesën se vendimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës nga 1 maji do ta bëjë jetën të papërballueshme për shumë familje.
“Është tepër e shtrenjtë. 200 euro po paguaj dimrit rrymë, 200 euro një gjysmë rroge në Kosovë, gjysmë rroge. Po flasim për një gjysmë rroge, rrymë edhe nuk po janë të kënaqur e me shtrenjtim nuk po ndalen e nuk po bëjnë zgjidhje”, ka thënë Maliq Mehmeti, një nga protestuesit.
Argument të ngjashëm përmendi edhe protestuesi tjetër, Fatmir Muqolli.
“Në qoftë një njeri i logjikshëm e mendon një pensionist me 120 euro duhet me pagu një faturë prej 50-60 euro vetëm për rrymë dhe nxemje, çka me hëngër e çka me pi? Do të thotë, arsyeja është – pensionistët dhe qytetarët të cilët nuk munden me ia dalë me i pagu pagesat, për çdo të shtune duhet me dal”, ka thënë ai.
ZRRE-ja gjatë javës u ka dhënë miratim tarifave të reja të rrymës, duke e rritur çmimin prej 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
E protestuesit kanë paralajmëruar për vazhdim të protestave deri në shfuqizimin e këtij vendimi.