Arbëri

Protestuesit në Gjilan kërkojnë më shumë siguri për gra e vajza

Rasti i keqtrajtimit të një gruaje me probleme të shëndetit mendor nga Gjilani, që dyshohet se u abuzua fizikisht dhe seksualisht, ka nxitur protestë në këtë qytet. Qytetarët pjesëmarrës dhe organizatorët e protestës kërkuan përgjegjësi institucionale për rastet e tilla dhe më shumë siguri për gratë e vajzat në Kosovë.

Ndonëse në moshë të shtyrë, qytetari Isa Vetinci, iu bashkua të premten protestës së organizuar në Gjilan kundër dhunës ndaj grave.

Shkak për mbajtjen e protestës u bë rasti i një gruaje 31-vjeçare me probleme të shëndetit mendor, e cila dyshohet se është abuzuar dhe keqtrajtuar fizikisht nga një person, që tashmë është arrestuar.

Në protestë, qytetari Vetinci tha se mori pjesë për të kërkuar më shumë siguri për gratë e vajzat në Kosovë.

“Kam dalë për t’u ndihmuar vajzave, grave dhe nënave tona. Nuk kemi prokuror, nuk kemi gjykata, nuk kemi shtet hala”, tha Vetinci.

Protesta u organizua nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Qendra Sociale “Përpjekja” dhe Qendra për Informim dhe Përmirësim Social.

Yll Islami, aktivist në Qendrën sociale “Përpjekja”, bëri thirrje për ndaljen e ciklit të dhunës dhe të abuzimit ndaj personave me probleme mendore, teksa e theksoi nevojën për përgjegjësi institucionale.

“Arsyetimet e llojit ‘rasti ka ndodhur në Lipjan’, ‘rasti nuk ka qenë i lajmëruar në Qendrën e Shëndetit Mendor’, janë thjeshtë tentim për shfajësim. Në vend se ta hedhin fajit te njëri-tjetri, të marrin përgjegjësi secili e të punojnë për siguri, liri e barazi për krejt”, ka thënë Islami.

E drejtori i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, Bind Skeja, ka kërkuar angazhim qytetar për nxitjen e institucioneve në veprim ndaj rasteve të këtilla.

“Për shkak të apatisë sonë, ne kemi lejuar që institucionet tona të injorojnë mirëqenien e bashkëqytetareve tonë. Apo, t’i institucionalizojnë prapa mureve dhe larg vëmendjes kolektive. Nëpërmjet kësaj proteste në themi se po i afrohet fundi i këtij sistemi që i lë qytetarët të përdhunohen me vite të tëra”, ka thënë Skeja.

Të martën, në rrjetin social “Facebook” kanë qarkulluar fotografi të gruas me probleme të shëndetit mendor në Gjilan, e cila dyshohet se është dhunuar fizikisht, e po ashtu është përdorur seksualisht nga një person në Lipjan.

Policia e ka konfirmuar më pas arrestimin e të dyshuarit, për veprën penale “dhunë në familje” lidhur me rastin e gruas. Por avokati i viktimës i pati thënë KOHËS se rasti nuk ka të bëjë me dhunë në familje.