Me protesta para Klinikës së Kirurgjisë, infermierët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me Projektligjin për pagat.
Ato po kërkojnë që koeficienti i tyre në këtë Projektligj të jetë mbi 2.4, raporton KTV.
Përfaqësuesja e infermierëve, Arta Sejdiu, ka thënë se kjo kategori duhet të trajtohet dinjitetshëm duke shtuar se janë detyruar të protestojnë.
“Jemi detyruar të protestojmë... kemi parë profesionistë të tjerë shëndetësorë që kanë po të njëjtin shkollim dhe janë ranguar me koeficient më të lartë se infermierët”, ka thënë Arta Sejdiu, përfaqësuese e Infermierëve.
Infermierët iu kanë bërë thirrje deputetëve që të reflektojnë të shtunën kur pritet të votohet buxheti.
Ndërsa, kryetari i Odës së Infermierëve, Naser Rrustemaj, tha se kjo protestë vjen si rezultat i pakënaqësive të infermierëve lidhur me koeficientin.
Disa infermierë, të cilët nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, kanë treguar që hall tjetër i tyre po del të jetë edhe vonesa e pagës.
Infermierët e QKUK-së kanë protestuar për të njëjtat arsye edhe më 25 janar, për çka kanë thënë se do t’u qëndrojnë prapa kërkesave deri në realizimin e tyre.