Gjuetarët nga Komuna e Prizrenit të enjten kanë organizuar protestë para Komunës së Prizrenit me ankesën se po shkelen të drejtat e tyre ligjore në raport me sezonin e gjuetisë 2021/2022. Ata kanë kërkuar nga organet komunale që për këtë çështje ta zbatojnë legjislacionin përkatës, ashtu që të mundësohet gjuetia për ta. Por zyrtarët e Qeverisë lokale të Prizrenit kanë sqaruar se në këtë komunë ende nuk janë plotësuar kriteret ligjore për hapjen e sezonit të gjuetisë.
Drejtuesit e shoqatave të gjahtarëve kanë pohuar se legjislacioni për gjuetinë në këtë komunë nuk ka gjetur zbatim të duhur që nga viti 2007. Sedat Krasniqi, sekretar i shoqatës së gjahtarëve “Sharri” ka pohuar se ky është një obligim i institucioneve relevante.
“Sa i përket mbylljes së gjuetisë apo moslejimit të hapjes së sezonit të gjuetisë, gjahtarëve në regjionin e Prizrenit u është bërë shkelje në vazhdimësi nga viti 2007. E them këtë për shumë arsye, sepse kemi dokumente ligjore, kemi Ligjin mbi gjuetinë e Kosovës, Udhëzimin Administrativ që kanë qenë të obliguar të gjitha institucionet relevante të zbatojnë ligjin, nenin 63 dhe Udhëzimin Administrativ deri në përfundimin e procedurave apo dhënien me qira të vendgjahishteve që janë të themeluara në regjionin e Prizrenit”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa Azmir Miftari, kryetar i shoqatës së gjahtarëve “Bistrica-Zhupa” ka pohuar se me këtë protestë shprehet edhe pakënaqësia ndaj organeve komunale për mospërmbylljen e dhënies në menaxhim të vendgjuetive.
“Komuna e Prizrenit ka bërë gabim të madh për shkak se para 10 vjetësh është dashur që ta përmbyllë procesin e dhënies në menaxhim të vendgjuetive që parashihet me ligj. Ne si gjuetarë nuk jemi fajtorë për mospunën e Komunës”, ka thënë Miftari, duke shtuar se vendgjuetitë nuk bën të mbeten pa menaxhim, pasi në një situatë të tillë mund të dëmtohet fauna.
Në anën tjetër, drejtori i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit, Agron Limani, ka pohuar se sipas vendimit të nivelit qendror gjuetia lejohet në ato Komuna ku paraprakisht është e rregulluar çështja e menaxhimit të vendgjuetive.
“Disa ditë më parë, Ministria e Bujqësisë ka sjellë një vendim, përmes të cilës njoftohen shoqatat e gjuetarëve për hapjen e sezonit të gjuetisë 2021/2022. Por në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë është e cekur në mënyrë decidive se gjuetia lejohet në ato komuna ku paraprakisht është e rregulluar çështja e menaxhimit të vendgjuetive. Në Komunën e Prizrenit, po ashtu edhe në disa komuna të tjera nuk është përcaktuar menaxheri apo grupi i menaxherëve për vendgjuetitë”, ka thënë Limani.
Sipas tij, lidhur me këtë proces ka edhe një masë të përkohshme nga Gjykata Themelore në Prizren.
“Meqë nuk është plotësuar kriteri bazë, pra nuk është përcaktuar menaxhimi nga ana e një shoqate apo shoqatave, dhe duke iu referuar edhe dy vendimeve, meqë kemi një vendim të Gjykatës Themelore në Prizren që vendos masë të përkohshme për vazhdimin e procesit të tenderimit për vendgjuetitë, po ashtu e kemi vendimin e Ministrisë së Bujqësisë , i cili cek se kusht për hapjen e sezonit të gjuetisë duhet që vendgjuetitë ta kenë një menaxher. Meqë këto kritere nuk janë plotësuar ne kemi qenë të detyruar që të njoftojmë opinionin, shoqatat, institucionet se në Komunën e Prizrenit nuk lejohen aktivitetet e gjuetarëve deri në marrjen e ndonjë vendimi të ri", ka deklaruar Limani.
Ministria e Bujqësisë në fund të muajit të kaluar ka nxjerrë vendim për hapjen e sezonit të gjuetisë 2021/2022 nga data 10 tetor 2021. Në këtë vendim, pos tjerash, shkruan se aktivitetet e gjuetisë mund t’i organizojnë vetëm menaxherët e vendgjuetive, të cilët kanë të hartuar dhe të aprovuar planin 10-vjeçar të menaxhimit të vendgjuetisë. Organet komunale të Prizrenit në vitin 2019 patën miratuar vendimin për rithemelimin e 3 vendgjuetive të përbashkëta.