Ka nisur protesta në Skenderaj e OJQ-së "Gratë Intelektuale të Drenicës", pas vrasjes së 48-vjeçares nga fshati Llaushë.
Nën moton "Vrasja nuk është virtyt trimërie por forma më e ulët e ligështisë", "Nëse nuk di të duash mos merr jetë", "Një nënë nuk ka 7 jetë, por do ta jepte edhe të vetën që ka për fëmijët e saj", protesta po zhvillohet nga grupi i grave.
Me anë të kësaj proteste po kërkohet edhe shkarkimi i komandantit të Policisë.
Protesta ka përfunduar para stacionit policor, derisa protestuesit kanë kërkuar seriozitet nga institucionet që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
Foto: Alban Bujari/KOHA
Viktima L.Q., 48-vjeçare, dyshohet se të pasditen e së mërkurës është vrarë nga bashkëshorti i saj. I njëjti thuhet se veprën e ka kryer me armë zjarri. Viktima ishte dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku si pasojë e plagëve ka humbur jetën.
I dyshuari S.Q. është arrestuar dhe të njëjtit i është konfiskuar një pistoletë me tre fishek. Në vend të ngjarjes janë gjetur e sekuestruar gjashtë gëzhoja.