Qindra banorë të trevës së Rugovës kanë protestuar të shtunën në Grykë të Rugovës duke thënë se po u cungohen të drejtat në shfrytëzimin e pronave të tyre private shkaku i “Bjeshkëve të Nemuna” . Që nga viti i kaluar në atë trevë Prokuroria e shtetit bashkë me Policinë dhe Drejtorinë e parkut kanë ndaluar të gjitha llojet e ndërtimeve edhe në pronat private.
Rugovasve u ka ardhur deri te hunda pamundësia për shfrytëzimin e pronave të tyre qëkur u shpall ligji kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, në vitin 2012.
Përmes një proteste me moton “Përtej shpisë, s’kemi ku shkojmë”, ata kanë kërkuar të drejtën e shfrytëzimit dhe largimin e pronave të tyre private nga zona e parkut.
Sipas protestuesve rugovas, Ligji i parkut kombëtar është bërë pa pajtimin e tyre dhe me ato që i kanë quajtur presione.
Kryetari i bashkësisë territoriale “Rugova II”, Flamur Rexhbogaj, kërkoi prej rugovasve që të mos lejojnë kurrë që të tjerët t’u tregojnë çfarë të bëjnë në pronat e tyre.
“Ne luftojmë, punojmë e protestojmë sa herë që neve na duhet që t’i largojmë barrierat, të plotësojmë e të ndryshojmë ligjet të cilat duhet të burojnë nga populli dhe për popullin e jo nga zyrat burokratike”, ka thënë Flamur Rexhbogaj, kryetar i bashkësisë territoriale “Rugova II”.
Përfaqësuesja e të rinjve të Rugovës, Dodona Hysenaj, kishte porosi për institucionet e vendit.
“Të mbrojnë të drejtat elementare qytetare të rugovasve. Tu ndërpritet hovi ndalesave të njëpasnjëshme qoftë nga Ministria e Mjedisit, zyrës së parkut kombëtar, gjerë te policia e Kosovës. Të na mundësohet që të jetojmë, të punojmë dhe të ndërtojmë në tokat tona”, ka thënë ajo.
Këto ndërtime në fakt rugovasit i kanë bërë edhe pas shpalljes së Ligjit të parkut, por të gjitha pa leje ndërtimi, për shkak se në mungesë të planit hapësinor të parkut kombëtar rugovasit nuk kanë mundur të pajiseshin me leje ndërtimi në komunë.
Ky plan është hartuar si draft-dokument në vitet 2013-2014 nga Instituti për Planifikim Hapësinor, por ende nuk është miratuar edhe për shkak të demarkacionit me Malin e Zi, që ka devijuar kufiri.
E nga viti i kaluar Prokuroria e Pejës bashkë me Policinë dhe drejtorinë e parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” i kanë ndaluar të gjitha llojet e ndërtimeve në atë trevë, madje duke i dërguar atje edhe njësitet e Policisë speciale.