Në protestë, pos profesorit Xhevat Krasniqi, është kërkuar edhe përjashtimi i anëtarëve të Këshillit të Etikës pranë UP-së. KOHA ka raportuar të javën e shkuar se 27 studente e denoncuan profesorin e Edukimit për sjellje joprofesionale në ambientet akademike.
Me pankarta e thirrje për përjashtimin e profesorit të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, që javë më parë u denoncua nga 27 studente të Mjekësisë për ngacmim seksual, studentë e pjesëtarë të shoqërisë civile protestuan të martën para objektit të fakultetit.
Pasi i lexuan rrëfimet e studenteve, për të cilat ka raportuar KOHA, në protestë është kërkuar siguri për vajzat e gratë gjatë studimeve pranë Universitetit të Prishtinës.
“27 denoncime nuk janë veç numra”, “Xhevat Krasniqi jashtë”, “Ngacmuesit seksual nuk kanë vend në UP”, “Duam hapësira të sigurta për vajzat dhe gratë” e “Po duam me studiu pa u ngacmu seksualisht”, ishin disa nga mbishkrimet në pankarta që mbajtën studentët protestues.
I nisur nga Fakulteti i Edukimit, aksioni vazhdoi deri tek objekti i Rektoratit, prej ku, krahas përjashtimit të Krasniqit, u shpreh edhe kërkesa për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Etikës, shkaku siç është thënë “i mostrajtimit me seriozitet të denoncimeve”.
Në Lëvizjen Feministe Studentore e kualifikuan shqetësuese mungesën e gatishmërisë së UP-së për ta luftuar këtë fenomen.
“Pas denoncimeve, Fakulteti i Mjekësisë ka ndërprerë bashkëpunimin me të denoncuarin për ngacmim seksual, por jo edhe Universiteti i Prishtinës. Ai vazhdon të ligjëroj pa asnjë pengesë. Këshilli i Etikës nuk i ka ftuar palët për intervistim edhe gati tri javë pas denoncimit, ani pse rregullorja e përcakton që palët duhet të ftohen jo më vonë se pesë ditë pune që nga denoncimi i shkeljes”, ka thënë Blenda Asllani.
Masa ndaj profesorit Xhevat Krasniqi kanë kërkuar edhe studentët senatorë. Denis Krasniqi përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se ka kërkuar suspendim të profesorit.
“Konsideroj se ne si Senat nuk duhet të rrimë indiferent ndaj rastit në fjalë por jo vetëm, ashtu që ta ruajmë integritetin e UP-së dhe sigurinë e studenteve/ëve, duke marrë veprime konkrete. Duke qenë se nuk po flasim për një denoncim por 27, unë propozoj që profesori Xhevat Krasniqi të suspendohet deri në vendimin e Këshillit të Etikës”, ka thënë Krasniqi.
Në Rektorat nuk kanë ofruar përgjigje nëse kanë kërkuar llogari nga anëtarët e Këshillit të Etikës për vonesën e trajtimit të denoncimit dhe nëse do ta pezullohet profesori i denoncuar, derisa procesi të marrë një epilog në këtë Këshill.
Lidhur me protestën, KOHA ka provuar të kontaktojë me profesorin Krasniqin, por ai nuk ka kthyer përgjigje, e javën e kaluar pati thënë se do të prononcohet vetëm kur çështja të marrë epilog në Këshill të Etikës.
KOHA ka raportuar të javën e shkuar se 27 studente e denoncuan profesorin e Edukimit për sjellje joprofesionale në ambientet akademike. Studentet kanë thënë në ankesën e tyre se profesori edhe ka komentuar pamjen e tyre fizike.