Arbëri

Protesta e SBASHK-ut për 1 Maj, kërkohet rritje e koeficientit të pagës

Protesta - SBASHK

Foto: Alban Bujari

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK) ka nisur protestën me kërkesa ndaj qeverisë në ditën e punëtorëve.

"Kërkojmë të ngritët vlera e koeficientit", "Duam dialog social", "Qeveri respekto pensionistët", janë disa nga pankartat që kanë mbajtur në duar protestuesit.

Protestës i është bashkuar edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi dhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) Atdhe Hykolli. 

Marshi ka nisur nga Biblioteka Kombëtare në drejtim të Ministrisë së Arsimit, duke përfunduar para objektit të qeverisë.


Në Kosovë protestohet për 1 Maj

Dita e Punëtorëve, 1 Maji, në Kosovë do të shënohet me një protestë dhe një marsh protestues.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK) me rastin e kësaj dite organizon një protestë, e cila do të nisë nga Biblioteka Kombëtare, për të vazhduar drejt Ministrisë së Arsimit dhe përfunduar para Qeverisë.

Protesta e SHBASHK-ut do të nisë në orën 10:30. 
Ndërkohë që në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” Blloku Feminist Antikapitalist organizon një marsh protestues. 

Me rastin e 1 Majti Komuna e Prishtinës ka vendosur që për 1 Maj, Ditën e Punëtorëve, të ndalohet qarkullimi i veturave në drejtim të parkut Gërmia, përpos autobusëve të linjës 4 dhe veturave emergjente.

Linja 5 e transportit publik do të punojë sipas itinerarit dhe orarit të rregullt deri në Sofali, thuhet në vendimin e Komunës. 

Të drejtë qarkullimi do të kenë edhe banorët e lagjeve përreth Gërmisë.
Parku Gërmia më 1 Maj tradicionalisht vizitohet nga qytetarë të shumtë. 

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Kjo festë lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.