Punëtorët e shoqërisë aksione “Kosova Thëngjilli” , protestuan të mërkurën para objektit të Qeverisë, me kërkesën që të rikthehen në punë dhe t’iu kompensohen pagat për 9 muaj. Në protestë u arrestua një person, shkroi KSP-ja, e arsyet ende nuk dihen.
Protestuesi Enver Sadiku deklaroi se i arrestuarit ka punuar pa pagë për 8 muaj dhe vetëm kërkonte ndihmë nga kryeministri Albin Kurti.
“Unë e njoh at djalë, është ai i cili tetë muaj ka ruajtur objektet e kompanisë sonë me grupin e vetë, që tetë muaj është duke kujdestaruar pa të ardhura personale, dhe jam shumë i bindur që ka dashtë t’i kërkojë ndihmë kryeministrit, qëllim tjetër nuk ka dhe nuk ka pasur. Është edhe pjesëtar i luftës, është djalë me nivel të lartë, porse qëllimin e ka pas vetëm të kërkojë ndihmë, arsye tjetër nuk ka pasur... Ai veç vrapoi të takohet me kryeministrit dhe aty ndodhi, mirëpo është djalë punëtor dhe që ka dhënë kontribut gjatë luftës dhe në kompani”, tha Sadiku.
“Kosova Thëngjilli”, si kompani e licencuar për shitjen e thëngjillit të përpunuar në Kosovë, ka pasur një kontratë me KEK-un për të blerë nga ajo thëngjillin dhe më pas për ta shitur. Në bazë të kontratës 3-vjeçare sasia e thëngjillit ishte 600 mijë tonë që, sipas KEK-ut, ishte shpenzuar.
“Ne jemi punëtorë të ‘Kosova Thëngjillit’ dhe prej muajit korrik jemi pa të ardhura personale. Ne i furnizojmë me qymyr kompanitë vendore të vendit, e kemi furnizuar qe 20 vjet edhe ‘Ferronikelin’. Prej korrikut të vitit 2022 jemi pa punë, sepse KEK-u nuk na furnizon me qymyr, thëngjill, sepse thotë se sipas marrëveshjes, e kemi harxhuar sasinë në bazë të kontratës që e kemi pas me këta. Sot kemi ardhur me protestë që bordi i KEK-ut i vitit 2019 e ka marrë një vendim të na kthejë neve në KEK, aty edhe ku e kemi pas vendin, mirëpo Qeveria ta merr dhe ta shqyrtojë atë vendim, dhe derisa ta bëjë shqyrtimin e vendimit, ne jemi të gatshëm të fillojmë punën me ndihmën e Qeverisë. Pa Qeverinë ne nuk punojmë, kërkojmë ndihmën e Qeverisë”, theksoi Sadiku.
Ndërsa, kryetari i aksionarëve, Imri Resetlica, deklaroi se insistojnë për një takim me kryeministrin Albin Kurti për të zgjidhur çështjen e tyre.
“Arsyeja e kësaj proteste është që të dalim për të shprehur pakënaqësitë tona, për krijimin e vendeve të punës dhe për vazhdimin e punës. Ne kemi kërkuar sot që të takohemi, por për momentin nuk kemi askënd, e kemi bërë kërkesën edhe më herët e kam bërë kërkesën ndaj kryeministrit... Ne këtu kemi dalë në mënyrë të qetë dhe kemi dalë t’i shprehim pakënaqësitë tona dhe kemi dalë të kërkojmë punë. Nuk është hera e parë, kemi dalë qe tetë muaj dhe ne kërkuam një takim me kryeministrin”, tha Restelica.
Ndërsa, një tjetër punëtor i kësaj kompanie, i mllefosur ndaj kryeministri Kurti, tha se i kanë lënë në rrugë pa asnjë të ardhur.
“Qe 9 muaj nuk kemi marrë paga, ‘Kosova Thëngjillin’ e kanë mbyllur, kjo qeveri e jona në krye me Albin Kurtin, i cili nuk do të jap fare llogari, të jap sqarime për këtë punë, prandaj na që 9 muaj kemi mbetur pa paga, kemi mbetur pa punë, kurse reparti është në gjendje të gatshme për punë, thëngjilli është i KEK-ut, vetëm neve si punëtore na kane lënë në rrugë që 9 muaj të ballafaqohemi me institucione tona”, deklaroi ai.
KOHA ka pyetur Policinë e Kosovës për arsyen e arrestimit të protestuesit, por s’ka marrë përgjigje deri në momentin e raportimit./ksp