Debat i gjatë është zhvilluar në Kuvendin Komunal të Podujevës kur është propozuar që 5 maji, Dita e Dëshmorëve në këtë komunë, të jetë ditë pushimi.
Propozimin e ka bërë, këshilltari komunal nga radhët e Vetëvendosjes, Ragip Fetahu. Ai ka thënë se kjo është kërkesë e familjeve të dëshmorëve. Kërkesa e tij ka gjetur përkrahje te të gjitha partitë politike për të hyrë si pikë e rendit të ditës, por jo edhe për ta zyrtarizuar si ditë pushimi.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se Zyra Ligjore ka vlerësuar se nuk mundet Kuvendi të marrë vendim për të pushuar më 5 maj, para se të bëhet ndryshimi i Statutit.
Debati ka vazhduar kur është hapur diskutimi për këtë pikë. Vetë shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Haki Rudari, ka propozuar që kjo pikë e rendit të ditës të diskutohet në një prej seancave të radhës. Njësoj ka kërkuar edhe këshilltari komunal nga LDK, Naim Çunaku.
“Derisa në tërë komunat tjera kanë bërë data për heronjtë e vet, ku jemi ne? Dhe porozimi im ishte ky: nëse fillojmë, e di që ka procedura, nuk është e lehtë, unë jam i atij mendimi se nëse fillojmë të bëhet ndryshimi i Statutit, dita e dëshmorëve në Komunën e Podujevës të merert dita e rënies së një pej atyre që e ka nderuar Llapin, dhe ne kemi mjaftueshëm, si Zahir Pajaziti, Ilir Konushefci, Besnik Restelica etj”, ka theksuar Çunaku. “Nëse nuk mund të arrijmë te emri i datës, pse mos ta marrim Betejën e Kaqandollit, Betejën e Llapshticës? Nuk kam kundër 5 majit, ditës ku ka vdekur Qemal Stafa, po e kemi për obligim me nderua veten, me nderua komunën tonë”.
Edhe Gazmend Islami nga OBKD, ka kërkuar që fillimisht të formohet një komision prej Kuvendit.
“Llapi gjithmonë, por po e përmendi veç prej vitit ’45, ka dhënë figurat më të ndritura për vendin. Prej NDSH, Afrim Zhitisë, Zahir Pajaziti, Fahriut, etj. Unë porpozoj që të bëhet Flakadani i Llapit dhe të caktohet një datë, sepse ne llapjanët kemi dhënë gjithçka e meritat po i marrin të tjerët. Edhe me qenë 2-3 ditë. E kemi Adem Demaçin, Afrim Zhitinë, Bahriun, Ali Ajetin, etj. një datë që përkujtohet të gjithë të rënët, por me 2-3 ditë”, ka propozuar ai.
Por, inicuesi, Ragip Fetahu, ka insistuar që të votohet vetëm që 5 maji të bëhet ditë pushimi.
“Ku jeni kanë deri tash? Pse nuk është inicua deri tash? Duhet ta respektojmë gjakun e atyre që kanë rënë. 5 maji është datë e dëshmorëve, derisa të mos kemi një datë tjetër, është mirë të respektohen ato familje. Falë gjakut të tyre jemi këtu. Propozimi im nuk ka nevojë të shtyhet për seanca tjera. Unë iu kam drejtuar MAPL-së më një shkresë ata kanë thënë se për festa zyrtare është niveli qendor, e për komuna është niveli lokal. E kanë përmend edhe nenin se në bazë të cilës kemi të drejtë ta bëjmë këtë”, ka thënë ai.
Debati ka vazhduar nga të njëjtit këshilltarë duke e përsëritur secili mendimin e tij, derisa këshilltari Florent Hasani (LVV), ka kërkuar pauzë për t’u kosnultuar grupi i tyre. Por, as kjo fillimisht nuk ka kryer punë.
“Unë i shikova festat zyrtare dhe në festa zyrtare në Kosovë 5 maji nuk ekziston, nuk ekziston as në Kosovë e as në Shqipëri. Kemi disa komuna që i kanë caktuar ditët e dëshmorëve. Së pari duhet të shpallet ditë e dëshmorëeve pastaj të kalohet në festë. Unë propozoj që në një mbledhje të ardhshme të fillojë ndryhimi i Statutit”, ka thënë kryesuesi Hilmi Hoxha.
Por, debati nuk është ndalë. Inicuesi është bindur vetëm kur kryetari Bulliqi ka kërkuar që kjo pikë të shtyhet.
“Po e shohim se në të gjitha palët ka dilema. Në mënyrë që mos të polarizohemi në kuvend, kjo temë të shythet, ta analizojmë të gjithë së bashku. Pa pretendua që dikush me fitua e dikush me humb. Është mirë që ta lëmë për një seancë tjetër”, ka theksuar Bulliqi.
E inicuesi Fetahu ka thënë se ai e ka kryer obligimin qytetar dhe i mbetet Kuvendi të vendos.
Pas kësaj, këshilltarët njëzëri kanë votuar që për këtë pikë të diskutohet në një prej seancave të radhës.