Është kundërshtuar Prishtinë dhe Tiranë propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Deputetë të pushtetit dhe disa nga opozita në Kosovë kanë theksuar se dokumenti duhet hartuar nga Qeveria, e ish-përfaqësues të Shqipërisë kanë theksuar se Rama po ia bën argatin Serbisë
Ka nxitur kundërshtim në Kosovë dhe në Serbi draftstatuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dorëzuar te presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe te kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ai dokument para se të shkojë në Francë e Gjermani, duhet të jetë i Kosovës.
“Ai dokument nuk është për Francën, për Gjermaninë e shtetet e tjera. Ai dokument është për Kosovën. Pra se të shkojë atje duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar në formën e ofrimit të një drafti të statutit”, ka thënë ajo.
E Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike (LDK) ka thënë se për propozimin e draftstatutit të Asociacionit kompetent është vetëm Qeveria e Kosovës.
“Të jemi të qartë e të saktë: kompetent për propozimin e statutit të Asociacionit, si dhe menaxhimin me partnerët ndërkombëtarë është vetëm Qeveria e Kosovës, askush tjetër, asnjë Qeveri e ndonjë vendi tjetër”, ka thënë ai.
Edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka konsideruar këtë si ndërhyrje flagrante të Ramës në punët e brendshme të Kosovës.
“Argati i Vuçiqit, në detyrim ekstrem, shpalosi veten si një vasal i shpifur i doktrinarit dhe njërit prej autorëve të gjenocidit serb në Bosnjë dhe Kosovë, njeriut që me politikën e tij etno-nacionaliste, politikën e tij të Serbisë së Madhe, është faktor destabilizimi kryesor në Ballkan dhe pas Putinit të Madh edhe në Evropë, Aleksandër Vuçiq” , ka theksuar Berisha.
Krahas tij, edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se Shqipëria mund të ndihmojë lidhur me situatën e krijuar në Kosovë, vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Zgjidhja se si do të arrihet Asociacioni gjendet pra te respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Kurti ka treguar vazhdimisht përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërsa te Vuçiq nuk e kemi parë në asnjë rast një gjë të tillë. Përkundrazi një sërë veprimesh të tij e kanë demonstruar të kundërtën”, ka thënë ai.
Por, ka pasur edhe eksponentë politikë që i kanë ofruar mbështetje Ramës në këtë nismë.
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili është deputet i Partisë Demokratike, e ka konsideruar hap të duhur veprimin e Ramës.
“Së pari mendoj që është një hap i duhur, i drejtë dhe i domosdoshëm që Shqipëria ka dalë me një propozim të tillë dhe është mirë që të ketë edhe një dialog, jo vetëm politik të brendshëm në Kosovë, por edhe një dialog ndërshqiptar për atë që po ndodh në veri të vendit”, ka theksuar Hoxhaj.
Abott: Qeveria të dëgjojë për Asociacionin
Ambasadori i Britanisë, Nicholas Abott, i pyetur për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk e ka parë ende, por që, sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë janë të afërta e që do ta kenë një takim javën e ardhshme.
“Shqipëria është shtet shumë i afërt me Kosovën. E di që flasin qeveri me qeveri. E di që javën e ardhshme kanë takim. Jam i sigurt që do të flasin për shumë çështje. Qeveria e Kosovës të dëgjojë për këto, ta gjejë mënyrën e duhur para, por një që tregon mirëkuptim për brengat e miqve”, ka thënë ai.
Bislimi: Serbia po synon ta vendosë një “Kalë të Trojës” në Kosovë
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Serbia po synon të vendosë në Kosovë një “Kalë të Trojës” nëpërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe (ASK). Sipas tij, për këtë tregon edhe një “non-paper” që së fundi është hartuar nga Akademia e Shkencave e Serbisë.
“Krijimi i AKS-së nuk është objektiv në vete, por paraqet një hap të rëndësishëm drejt arritjes së synimit për ‘Botën serbe’ që koincidon me territorin e ish-Jugosllavisë. Dizajni fillestar i AKS-së nuk është relevant, pasi kompetencat do të evoluojnë dhe do të eksploatohen për shkak të përkrahjes financiare të Beogradit dhe një mungese relative të mbikëqyrjes nga Qeveria e Kosovës. Këto kompetenca do të çojnë te një Republika Srpska e re me synim për ndarje territoriale mes territoreve shqiptare e serbe. Kjo më pas do të shtyjë komunitetin ndërkombëtarë të njohë ekzistimin e dy entiteteve nacionale në Kosovë dhe një autonomi absolute në zonat e AKS-së”, ka thënë ai.
Sipas Bislimit, kjo autonomi do të sjellë situatë që serbët nuk do të kenë nevojë për të ndërvepruar me Qeverinë e Kosovë, duke e bërë kështu AKS-në si një “vezë qyqeje” në territorin e Kosovës.
“Serbia beson se avantazhi kryesor krahasues që ka aktualisht dhe duhet të shfrytëzojë, është superioriteti ekonomik në rajon. Në rrethanat aktuale, qëllimi përfundimtar ‘Bota serbe’ nuk mund të realizohet vetëm me mjete politike. Duhet të shfrytëzohen edhe mjete të tjera, duke përfshirë mekanizma fetarë me potencial për ndikim politik në vendet fqinje ku vepron Kisha Ortodokse Serbe. Prandaj, themelimi i AKS-së duhet të jetë imperativ kyç për politikanët serbë, duke ofruar një bërthamë për qëllimin shekullor të bashkimit të kombit serb”, ka cituar Bislimi pikat e “non-paperit”.
“Non-paper”, sipas tij, shpjegon në mënyrë të përsosur këmbënguljen e Beogradit për AKS-në, por duhet të bëjë komunitetin ndërkombëtar të rishqyrtojë këmbënguljen e vetë.