Asnjë nga 64 amendamentet e deputetëve opozitarë nuk ka marrë përkrahjen nga pushteti për t’u futur në buxhetin e vitin e 2024. Ato do të paraqiten edhe në seancën plenare nesër në të cilën do të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për buxhetin. Përmes këtyre propozimeve është kërkuar kryesisht rritja e koeficientit të pagave, rritja e pensioneve, shtesa e sigurime shëndetësore për policë dhe rritje të pensioneve për veteranët
Afro 570 milionë euro është kostoja e amendamenteve që deputetët, kryesisht nga opozita, kanë propozuar për t’i futur në Projektbuxhetin për vitin 2024. Ata kanë propozuar rritje të koeficientit të pagave, pensioneve për pensionistë e veteranë, si dhe rritje të shtesave e sigurime shëndetësore për policë. Nëpërmjet amendamenteve është kërkuar përkrahje infrastrukturore, kryesisht për komunat prej nga vijnë.
Por, asnjë nga 64 amendamentet e propozuara nuk ka marrë përkrahje nga Komisioni për Buxhet.
Deputetët opozitarë do të tentojnë të sigurojnë mbështetjen për to në seancën plenare, të enjten, në të cilën pritet të shqyrtohet në lexim të dytë projektbuxheti.
Rritja e koeficientit të pagës është kërkuar nga tri partitë opozitare. LDK-ja ka kërkuar që ai të jetë 125 euro, PDK-ja 135 euro, kurse AAK-ja 129 euro.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti në arsyetim të këtij amendamenti ka thënë se vlera prej 105 euro e propozuar nga Qeveria me rastin e miratimit të Ligjit për paga ka qenë shumë e ulët dhe ka sjellë pakënaqësi të mëdha tek të gjithë të punësuarit në sektorin publik.
“Vlera e propozuar me projektbuxhetin e vitit 2024 prej 110 euro përbën rritje prej vetëm 4.8 për qind të pagës. Kjo është më e ulët se vlera e inflacionit prej 5.1 për qind për vitin 2023. Prandaj, për të kompensuar humbjen e vlerës së pagës nga inflacioni i vitit 2022 dhe 2023, propozohet vlera e koeficientit prej 125 euro. Ndikimi buxhetor i rritjes së koeficientit nuk është i përballueshëm bazuar në projektbuxhetin e vitit 2024”, thuhet në arsyetimin e Hotit.
Ai po ashtu ka kërkuar që të ketë edhe rritje të shtesave dhe kompensimeve në përputhje me vlerën e koeficientit.
“Ngritja e shtesave dhe kompensimeve në përputhje me vlerën e koeficientit është e natyrshme dhe në përputhje me provizionet e Ligjit të punës dhe ligjeve tjera relevante të cilat parashohin kompensimin e punëtorëve përmes shtesave dhe kompensimeve të tjera për detyrat shtesë që mund të kenë, kushteve specifike të punës dhe të ngjashme”, thuhet në arsyetim.
Ky amendament do të rriste shumën për paga për rreth 110 milionë euro.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka kërkuar që pensioni bazik të rritet nga 100 në 120 euro. Kjo shumë do të rriste shumën e kësaj kategorie për 30 milionë euro, nga 187 milionë në 217 milionë euro.
E ish-deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli, ka kërkuar që pensioni i veteranëve të UÇK-së të rritet nga 170 euro në 330 euro. Nëse ky propozim përkrahet, kostoja e tij do të jetë 96 milionë euro, duke rritur shpenzimet për këtë kategori në rreth 170 milionë euro.
Në buxhetin për 2024 janë përfshirë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat janë miratuar së fundmi në Kuvend. Por ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk ka treguar se sa është shuma e marrëveshjeve që është përfshirë.
“Një pjesë e marrëveshjeve janë të përfshira në buxhet, por një pjesë e tyre janë jashtë buxhetore, siç ishte marrëveshja për panelet solare, ajo do të jetë financim jashtëbuxhetor, nuk ekzekutohet nga buxheti i shtetit, por shteti e merr një pjesë të kredisë dhe ia nënhuazon KEK-ut dhe ajo e bën investimin”, ka thënë Murati.
Buxheti për 2024 parashihet të jetë 3.3 miliardë euro, apo 100 milionë euro më shumë sesa që ishte këtë vit.