Arbëri

“PRONTO”: 10 vjet prej përgjimeve, 3 vjet nga aktakuza, 6 muaj larg parashkrimit

Pas kthimit në rigjykim, pak ka gjasa që gjykata brenda afatit ligjor të mund të përfundojë me vendim final për rastin “Pronto”. Edhe nëse Gjykata e Apelit vendos sërish për dënimin e protagonistëve të aferës “Pronto”, lënda mund të ankimohet sërish në Gjykatën Supreme. E nëse këto dy shkallë nuk dalin me vendime për 6 muaj, atëherë rasti parashkruhet dhe nuk mund të gjykohet kurrë më

E njohur si afera më e madhe ku janë të përfshirë politikanë të partisë që ka qenë pjesë e qeverisë më shumë se një dekadë, afera “Pronto” është para vdekjes juridike si lëndë.

Koha brenda së cilës duhet të vendosë gjyqësori për këtë rast është e kufizuar vetëm në 6 muaj.

Adem Grabovci, ish-deputet i PDK-së, do të gjykohet sërish për përfshirjen e tij në aferën “Pronto”.

Rreth një vit pasi Apeli i pati dënuar Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, në aferën e njohur si “Pronto”, Supremja e ka anuluar këtë vendim dhe lënda është kthyer në rigjykim,

Në vendimin e Supremes, të siguruar nga KOHA, ky institucion ka aprovuar kërkesat e të akuzuarve për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.

Vendimi është marrë më 19 prill. Trupi gjykues, sipas aktgjykimit, përbëhet nga gjyqtarët Mejreme Memaj, Agim Maliqi dhe Rasim Rasimi.

Por, pas kthimit në rigjykim, të gjitha procedurat – përfshirë nxjerrjen e aktgjykimeve në të dy shkallët në rast se vendimi do të jetë sërish dënues – duhet të përfundojnë deri në muajin dhjetor.

Në dhjetorin e këtij viti mbushen saktësisht 10 vjet prej kur pretendohet së janë kryer telefonata inkriminiuese të Grabovcit me të akuzuarit e tjerë, të cilat, sipas Prokurorisë Speciale, dëshmonin për punësime të jashtëligjshme.

“Pronto” para vdekjes së përhershme

Të akuzuarit e kësaj afere janë të akuzuar për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të banorëve të Kosovës”. Për shkak se vepra penale pretendohet që është kryer në vitin 2011, atëherë afatet rrjedhin sipas Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, që tashmë është i shfuqizuar.

Në Kodin e Përkohshëm Penal, kjo vepër penale është e dënueshme deri në 5 vjet.

“Kushdo që në mënyrë të kundërligjshme ia mohon ose ia kufizon liritë a të drejtat e banorit të Kosovës, të parapara në Kornizën Kushtetuese dhe në ligjin në fuqi mbi bazën e dallimit në racë, në ngjyrë, në gjini, në gjuhë, në besimin fetar ose në ateizëm, në mendimin politik ose në mendimin tjetër, në prejardhje sociale ose kombëtare, në pronë, në lindje, në arsim, në statusit shoqëror ose sipas karakteristikave të tjera personale, të lidhjes me bashkësinë etnike ose gjuhësore në Kosovë, ose kushdo që në mënyrë të kundërligjshme i jep qytetarit të Kosovës çfarëdo privilegji ose përparësie mbi bazën e një dallimi ose përkatësie të tillë dënohet me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet”, thuhet në nenin 158 të Kodit të Përkohshëm.

Por, për t’u dënuar për këtë vepër, sistemi i drejtësisë duhet të jetë në gjendje që ta shqiptojë dënimin e plotfuqishëm, saktësisht brenda dyfishit të periudhës së kohës maksimale që parashihet dënimi. Në këtë rast i bie që kjo të behët deri në muajin nëntor/dhjetor të këtij viti.

Në rast se Gjykata e Apelit pas kthimit në rigjykim e përmbyll procesin për më pak se 6 muaj dhe sërish dënon Grabovcin dhe të akuzuarit e tjerë, atëherë ky vendim nuk është i plotfuqishëm.

Në të tilla raste, kur Apeli merr aktgjykime dënuese, atëherë gjykata e shkallës së tretë, Supremja, kthehet në gjykatë të shkallës së dytë ku mund të apelohet vendimi.

Për t’u marrë vendim meritor për këtë çështje, të dyja këto shkallë bashkë deri në fillim të dhjetorit duhet t’i kryejnë të gjitha procedurat në lidhje me këtë gjykim, në të kundërtën rasti do të vjetërsohet.

Përfundimi i këtij rasti me aktgjykim e jo refuzim për shkak të vjetërsimit ka pak gjasa të ndodhë në rast së shikohen afatet se si ka punuar gjykata qysh nga ngritja e aktakuzës në këtë rast.

9 vjet e gjysmë pa aktgjykim, vetëm edhe 6 muaj kohë

Procesi gjyqësor në rastin “Pronto” është një nga proceset gjyqësore me më së paku seanca të mbajtura në shkallën e parë, nëse krahasohet me gjykimet e tjera ku janë të përfshirë zyrtarë publikë.

Aktakuza është ngritur më 6 prill të vitit 2018.

Seanca e parë ishte caktuar pas 6 muajsh. Më 1 tetor të vitit 2018 ishte paraparë të mbahej seanca e parë. Kjo seancë pati dështuar të mbahej për shkak të mungesës së disa prej të akuzuarve.

Tentimi i dytë për të nisur gjykimi është bërë pas një muaji e gjysmë. Seanca fillestare ishte mbajtur më 15 nëntor të vitit 2018. Seanca e dytë ishte planifikuar të mbahej në fund të dhjetorit të vitit 2018, por ishte shtyrë për shkak se prokuroja Hajdari pati bërë kërkesë për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Shashivar Hoti.

Kjo kërkesë ishte refuzuar.

Gjykimi ka vazhduar. Janë mbajtur edhe 9 seanca deri në vendimin që është shpallur më 3 janar të vitit 2020.

Rasti ishte apeluar. Vetëm për vendosjen e këtij rasti në shkallë të dytë kishin kaluar saktësisht 6 muaj deri te vendimi.

Gjykata e Apelit pati vendosur në korrik të vitit 2020 për dënimin e Grabovcit e Ilhami e Sadat Gashit. Për shkak që kishte nxjerrë aktgjykim dënues, në këtë rast Supremja sipas ligjit bëhet shkallë e dytë.

Kur lënda ka shkuar në Supreme kanë kaluar edhe 5 muaj derisa ishte vendosur vërtetimi i aktgjykimit dënues. Në situatë të njëjtë, pas vendimit të Supremes, të akuzuarit kanë të drejtë edhe në një ankesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, kur pretendojnë që ka shkelje procedurale.

Një ankesë e tillë edhe e ka kthyer këtë rast në rigjykim, por nëse procesi sërish shkon njëjtë nuk përjashtohet mundësia që skenari i njëjtë të ndodhë përsëri.

Supremja thotë se Grabovci nuk mund të punësonte njerëz, Qeveria po

Sipas aktgjykimit të Supremes, që e ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata e Apelit ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Kolegji i gjyqtarëve nuk është pajtuar me Apelin sa i përket vlerësimit të përgjimeve.

“Gjykata Supreme e Kosovës nuk pajtohet me qëndrimin e gjykatës së shkallës së dytë përkitazi me arsyetimin për mundësinë e përdorimit të përgjimeve, gjegjësisht transportimin e tyre, përkundër faktit se i dënuari nuk është njoftuar për përgjimet e zhvilluara ndaj tij dhe eventualisht i është pamundësuar ankesa për shkatërrimin e tyre dhe pastaj përdorimi në një rast tjetër”, thuhet në aktgjykimin e siguruar nga KOHA.

Supremja ka kontestuar edhe faktin nëse Grabovci nga pozicioni i tij si deputet ka mundur të bëjë keqpërdorim të detyrave zyrtare që janë në kompetencë të Qeverisë.

“Adem Grabovci, person i zgjedhur përmes procesit zgjedhor, pra ishte deputet i Kuvendit të Kosovës, kurse specifikisht të drejtat dhe autorizimet e tij ishin të rregulluara me dispozitat kushtetuese dhe nenin 13 të Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, e cila dispozitë nuk shpërfaq asnjë kompetencë që një person zyrtar/deputet të parashtrojë çfarëdo kërkese tek institucionet ekzekutive për të krijuar privilegj në raport me ndonjë person apo grup personash”, thuhet në këtë aktgjykim.

Në aktakuzë, ani pse bëhej fjalë për punësime që bëheshin në Qeveri, nuk ishte përmendur asnjë zyrtar i Qeverisë që atë kohë udhëhiqej nga shefi i Grabovcit, Hashim Thaçi.

Madje, Prokuroria Speciale as nuk i kishte intervistuar për ngritjen e aktakuzës e as i kishte ftuar si dëshmitarë në gjykim, edhe pse vendimet për punësimet e pretenduara duhej të nënshkruheshin nga Qeveria.

Adem Grabovci ishte liruar nga akuza nga shkalla e parë, por Apeli i pati shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 vjetëve. Grabovcit i është hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vjetëve pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ilhami Gashit i është shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 vjetësh. Atij gjithashtu i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vjetësh pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Sedat Gashi është dënuar me dënim me burgim ne kohëzgjatje prej 8 muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 vjetësh pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.