Pasi i është djegur vetura mbrëmë në Zubin-Potok, në afërsi të objektit ku jeton, Bojan Bozhoviq , që është edhe pronar i MB Taxi, ka postuar në Facebook video të veturës së tij tashmë të shkatërruar plotësisht.
Ai ka thënë se i është shkatërruar vetura me të cilën ka siguruar jetesën.
“Skena si në filma horror. Sonte, në orën 3:00, dikush i ka vënë flakën veturës sime, me të cilën si taksi, në tre vjetët e fundit kam siguruar paratë me të cilat ushqej familjen time. Me lejoni t’u them se të gjithë e dinë që vetura ishte me mua për 4 vjet. Se në tre vjetët e fundit si shofer taksie kam transportuar mijëra serbë nga Serbia veriore dhe qendrore në të gjitha qytetet dhe enklavat në jug të Ibrit. Ata shkuan për të plotësuar dokumente, për shërbime sociale, për të rimarrë pronat, vizituan kisha e manastire. Unë vozita njerëzit tanë dhe ushqeva familjen time. Kam vozitur me RKS sepse vozis ekskluzivisht në jug të lumit Ibër. As që më shkoi në mendje që ekzistojnë njerëz që do të dëmtojnë familjen time dhe do të traumatizojnë fëmijët e mi, të cilët kanë parë mbrëmë makinën në flakë, e nëse nuk do të ndërhynin zjarrfikësit në kohë, atëherë do të ishin djegur të gjithë”, ka shkruar viktima.
Ai ka thënë se ndoshta kanë tentuar që përmes tij të paralajmërojnë serbët e tjerë në veri që të mendojnë dy herë para se të riregjistrojnë veturat. Ai ka treguar se vetura nuk është riregjistruar nga KM në RKS, por ishte me targa KS dhe u bart në RKS.
“Ata kanë arritur të lënë pa bukë edhe dy fëmijë, e nxënës të shkëlqyer dhe të pranuar në shoqëri”, ka thënë viktima. “Nuk do të mundohem as të zbuloj se kush e bëri, por do t’i lus vetëm një gjë, kur kalojnë pranë Anja dhe Elena Bozhoviqit ta ulin kokën pasi i kanë traumatizuar mbrëmë dhe u kanë marrë bukën e gojës”.
Bozhoviq ka saktësuar se bëhej fjalë për një veturë rreth 3 mijë eurosh. Ai vetë dikur ishte gazetar.
Ai në vitin 2019 kishte bërë kërkesë që t’i bashkohet partisë në pushtet, Vetëvendosjes.