Delet kanë mësuar orarin kur njëri nga punëtorët e fermës ua hap dyert e stallës për t’i lënë të lira të kullosin.
Janë rreth 450 krerë delesh në fermën e Sokol Shabanit, të cilat çdo ditë nga ora 8 në mëngjes, në varg njëra pas tjetrës, drejtohen përreth maleve të fshatit Janjevë.
Për t’u kujdesur për krerët e tij, Sokoli ka punësuar dy punëtorë, raporton emisioni SOT në KTV.
Fatmir Isufi është njëri nga ta, sipas të cilit, puna që bën nuk është aspak e lodhshme dhe siç shprehet ai, e bën me shumë vullnet.
Profitabile dhe të lehtë si punë e konsideron pronari i fermës ruajtjen e kujdesin ndaj deleve, madje nuk ngurron të tregojë edhe pagën me të cilën i paguan dy punëtorët e tij.
Ai thotë se dy punëtorët e tij i paguan me nga 400 euro në muaj.
Por, sipas Sokolit, vështirësi e kësaj pune mbetet mungesa e një stalle të zgjeruar, për të cilën thekson se ka bërë kërkesë disa herë.
Veç tjerash, rruga e paasfaltuar që shpie drejt kësaj ferme, sipas pronarit Shabani, është një pengesë tjetër për të zhvilluar veprimtarinë.
Megjithatë, thotë se i kapërcen vështirësitë e tilla, pasi që në fshatin e tij janë çdo ditë e më të pakta veprimtaritë bujqësore e blegtorale.