Arbëri

Pronarët e bizneseve në Gjilan në hall, ankohen për mungesë të mbështetjes

Bizneset të cilat merren me dizajnin e tekstilit dhe të veshjeve rrezikojnë të mbyllen, pasi nuk po arrijnë të gjenerojnë të hyra financiare, të mjaftueshme për shkak të pandemisë.

Pronarë të bizneseve të tilla vlerësojnë se ringjallja e tyre financiare do të ndodhë atëherë kur Qeveria e Kosovës vendos për hapjen totale në sektorin e gastronomisë, e ku fjalën kryesore do ta kishin dasmat dhe ahengjet e ngjashme.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të lehtësojë masat, meqë numri i të infektuarve dhe numri i vdekjeve nga COVID-19 është në rritje.

Metush Zymberi, pronar i biznesit i cili merret me dizajn të tekstilit e të veshjeve, vlerëson se qasja e Qeverisë në raport me sektorin privat në këtë periudhë të pandemisë është problematike.

Nga 60 punëtorë sa ishin të punësuar kanë mbetur vetëm 20 punëtorë.

“Natyra e biznesit tonë dallon nga bizneset e tjera. Kërkesat kanë rënë, sepse biznesi jonë varet nga dasmat. Kemi pranuar porositë qysh në korrik të vitit 2019 dhe ato kanë qenë për vitin 2020. Jemi furnizuar me materiale dhe të gjitha këto investime janë duke na shkuar në huq. Jemi në një pozicion ku nuk po dimë si të mbrohemi”, thotë ai.

Ai thotë se nuk po arrin që t’i kuptojë edhe masat të cilat janë duke u zbatuar për luftimin e COVID-19 .

“Është e pakuptueshme kur thuhet se në disa vende mund të grumbullohen 50 vetë sikur të kishim një marrëveshje me këtë lloj virusi. 50 vetë mund të takohen, kurse 51 nuk bën, sepse menjëherë infektohesh”.

Bizneset e tjera po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që në këtë periudhë të ndihmohen punëtorët nga pakot financiare.

Pronari i një furre buke, Maliq Kosumi, deklaroi se Qeveria duhet të përshpejtojë hapat në këtë aspekt.

“Kemi nevojë për mbështetje për klasën punëtore. Ka vendime të Qeverisë, por ende nuk jemi përfitues nga ai fond. Nëse punëtorët gjejnë mbështetje te Qeveria, atëherë edhe ne si biznes jemi më të lirë në funksionimin tonë”, ka thënë ai.

Biznese tjera me të cilat ka kontaktuar KOHA kanë shprehur frikën e tyre se gjendja në sektorin privat do të rëndohet edhe më shumë me afrimin e vjeshtës e më pas dimrit, kur veprimtaria e shumë bizneseve shënon rënie.

Ata kanë deklaruar se faktori kryesor për këtë goditje të ekonomisë është mungesa e diasporës.