Arbëri

Prona e ish-klientit të Ramës në treg sillet mes 2.4 e 5.3 mln €, ajo e Komunës mes 23 e 33 mln €

Prona komunale që është këmbyer me atë në Badoc të ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, nga një proces i nisur më 2021 nga ish-kryetari Shpend Ahmeti dhe një proces i ri i vitit 2024, kap vlerën e dhjetëra miliona eurove. Bazuar në çmimet në treg, një pronë rreth 7-hektarëshe në zonën Prishtina e Re më së liri kushton 23 milionë euro, ndërsa më së shtrenjti rreth 33 milionë euro. E për sipërfaqen që është këmbyer në Badoc, çmimet sillen prej 2 milionë e 400 mijë deri në 5 milionë e 300 mijë euro

Njëra prej pjesëve me më së shumti potencial financiar në Prishtinë është zona Prishtina e Re, në të cilën ish-klienti i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë të paktën 7 hektarë në këmbim të tokës private në Badoc, e cila nuk mund të shfrytëzohet për ndërtim.

Në këtë pjesë të Prishtinës, e cila po zgjerohet, ish-klienti i Ramës që nga viti 2021 ka marrë rreth 7 hektarë, ndërsa në Kuvendin Komunal ka kaluar propozimi i kryetarit që atij t’i jepej edhe një tokë tjetër.

Dokumentet e vitit 2022, të cilat u janë shpërndarë asamblistëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe në të cilat ka pasur qasje KOHA, janë të mangëta.

Në njërin prej tyre është theksuar qartë se ish-bashkëpunëtorit të Ramës, Rrahman Haradini, i janë bartur në pronësi rreth 7 hektarë tokë. E dokumentit tjetër, ndërlidhur me rreth 2 hektarë e gjysmë, i mungon një fletë në atë që e bën të pamundur analizimin e mëtejmë se për çfarë bëhet fjalë.

Në pjesën Prishtina e Re çmimet për një ar tokë janë rritur. Teksa në periferi të zonës çmimi për një ari sillet nga 10 mijë deri në 20 mijë euro, në zonën afër tokës komunale që do të jetë pronë e biznesmenit Hardini çmimet janë nga 35 deri në 50 mijë euro për ari.

Në Badoc, çmimet aktuale sillen nga 2 mijë e 500 deri në 5 mijë e 500 euro për ari.

Bazuar në këto çmime, toka komunale në Prishtina e Re më së liri mund të kushtojë rreth 23 milionë euro e më së shtrenjti rreth 33 milionë euro. E për sipërfaqen e këmbyer në Badoc, çmimi më i ulët është 2 milionë e 400 mijë euro, ndërsa më i larti 5 milionë e 300 mijë. Sipas kësaj, prona 7-hektarëshe në Prishtina e Re i bie ekuivalente me një hapësirë prej 98 hektarësh në Badoc. Ky kalkulim është bërë pa e llogaritur fitimin në ndërtime, të cilin mund ta kenë pronarët pas investimeve.

Image

Tregtarë që shesin toka në zonën Prishtina e Re nuk kanë treguar për çmimet, kur janë kontaktuar nëpërmjet telefonit nga KOHA, me justifikimin se interes për këto prona kanë kryesisht kompanitë e mëdha ndërtimore që në këtë pjesë do të ngrenë objekte banesore shumëkatëshe.

Përfaqësues të njërës prej kompanive të patundshmërisë, në ueb faqe ka vendosur çmimin prej 35 mijë eurosh për një ari, porse për KOHËN nuk ka folur lidhur me çështjen.

“Interesohemi e ju lajmërojmë”, kanë thënë ata, kur janë pyetur për çmimin.

E për një pronë me pamje nga Liqeni i Badocit, çmimi për ari të martën ishte 2 mijë e 500 euro.

“Qeta për 48 ari a? E ka çmim 2.500 euro ari”, kanë thënë në një kompani tjetër patundshmërish.

Kjo pronë, sipas përfaqësuesit të kësaj kompanie, ndodhet krejt afër Liqenit.

“Valla nja 2 minuta. Pamjen e ka krejt kah Liqeni. 2 minuta është prej Liqenit”, kanë thënë në kompani.

Por në këtë pjesë ka edhe prona që kushtojnë rreth 5 mijë e 500 euro për ari, por që, bazuar në përfaqësuesit e kompanisë, çmimi mund të negociohet.

“5.500 euro është për ari. Por mundem ta bëj një takim me pronarin e ndoshta ai e bën ndonjë zbritje. Prej gjysmës së tokës shihet Liqeni, prej gjysmës tjetër jo, se është si në kodër”, kanë thënë në kompani.

Pos hektarëve që veçse i janë këmbyer biznesmenit Haradini, në dhjetor të 2023-s, kryetari Rama ka propozuar që atij t’i këmbehen edhe 8 hektarë, me një pronë rreth 21-hektarëshe të Komunës në Prishtinën e Re.

Pas raportimit të KOHËS, kryetari i Prishtinës ka thënë se nuk do të jepen 20 hektarë, porse një pjesë e parcelës. E sipas vlerës në treg, ndryshe prej këmbimit në të shkuarën, biznesmeni pronën 8-hekatrëshe në Badoc e ka të barasvlefshme me së paku 57 e më së shumti 80 ari tokë.