Arbëri

“78 ditë bombardime të NATO-s” si pasqyrë e botës për fatin e Kosovës

Është një kapitull me peshë në historinë e Kosovës, që i dha vulë fatit të shqiptarëve. Se si raportonin mediat britanike për “78 ditët e bombardimeve të NATO-s”, siç është titulli i librit, sot mund të lexohen si histori që rikujton edhe sfidat e miqësitë. Shyqri Nimani ka rihapur arkivat e mediave të Britanisë së Madhe, për t’i bërë bashkë krejt raportimet

Përvjetorin e 14-të të Pavarësisë së Kosovës e ka përzgjedhur kaligrafisti i Deklaratës së Pavarësisë për ta promovuar librin që vjen si rezultat i punës disavjeçare në përmbledhjen e artikujve të gazetave britanike që mbuluan 78 ditë bombardimet e NATO-s.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se libri “78 bombardime të NATO-s” i Shyqri Nimanit ia kujton lexuesit miqësitë e Kosovës, ashtu edhe sfidat në të cilat ka kaluar populli i saj.

“Në 399 faqet e veta na i rikujton miqtë që na kanë ndihmuar e armiqtë që na kanë penguar. Na e rikujton pasqyrën përmes së cilës na ka parë bota përgjatë atyre 78 ditëve në zjarr. Na i rikujton sakrificat dhe sfidat që i kemi kaluar si popull për të arritur ku jemi sot”, ka thënë Kurti, në përurimin e librit të enjten në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Përzgjedhjen e artikujve të shtypit britanik për të paraqitur perspektivën e jashtme gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s e ka parë si hap të mençur poeti dhe juristi, Lulzim Tafa. Duke theksuar fuqinë e shtypit britanik, Tafa ka thënë se ai ka qenë më i shituri në botë.

“Libri më i ri është një libër që përmbledh Nimani, e ka kuptuar me kohë rolin dhe ndikimin që e kanë mediat. Duke e njohur këtë fuqi, jo rastësisht Nimani zgjedh shtypin britanik, ngase historia e shtypit britanik shkon mbrapa mbi 300 vjet. Për kohën që i dedikohet ky libër, më shumë gazeta shiteshin për kokë banori në Mbretërinë e Bashkuar se kudo tjetër në botë”, ka thënë Tafa.

Image

Të enjten, në 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është përuruar libri “78 ditë bombardime të NATO-s” i Shyqri Nimanit


Vlerësime të larta i ka bërë punës së Nimanit edhe profesori i historisë, Gazmend Rizaj, sipas të cilit një vepër e tillë është shembull për tematikën që mbulon.

“Me pasion kishte mbledhur gazetat kryesore britanike: ‘The Daily Telegraph’, ‘The Daily Mail’, ‘Daily Echo’, ‘The Times’, ‘Telegraph Magazine’, ‘The Sunday Telegraph’, ‘The Express’, ‘The Independent’, që raportonin në baza ditore për zhvillimet e luftës në Kosovë, pra zgjodhi rrugën më të mirë të prezantimit të këtyre gazetave që duhet të shërbejë si shembull edhe për publikimet e tjera eventuale të këtij karakteri”, ka thënë Rizaj.

Në “78 ditë bombardime të NATO-s”, përveç kohës së bombardimeve, përfshihet edhe periudha pesëmujore para fillimit të bombardimeve, me artikuj në anglisht dhe përmbledhjet e tyre në shqip.

“Blair sulmon përçarjen e Perëndimit për Kosovën”, është njëri prej titujve të “The Daily Telegraph” që është pjesë e librit.

“Unë mendoj se ekziston një politikë e lojës me zjarr, sepse atij (v.j. Sllobodan Millosheviqit) nuk i është dhënë një mesazh mjaftueshëm i fortë”, citohet të ketë thënë kryeministri i atëhershëm, Tony Blair, në artikullin e publikuar më 9 tetor të 1998-s, kur filloi të ndryshonte kursi drejt marrjes së vendimit për bombardim të Jugosllavisë.

Dëshmi të torturave e referenca të gjenocidit shihen në një nga artikujt e fundit, që tregon për shfryrjen e vrerit e urrejtjes së forcave serbe gjatë tërheqjes së tyre.

“Pastaj erdhi rrahja finale e paarsyeshme, dhuratë nga anëtarët e një ushtrie të mposhtur në procesin e kërkimit të përfundimit të luftimeve. Kushdo që pa radhën e burrave shqiptarë të rrahur brutalisht duke kaluar kufirin e Kosovës këtë javë do t’i kthehej një neveri e re për makinerinë Milosheviqit, që po synon spastrimin etnik deri në momentin e fundit”, shkruhet në artikull.

Ndërsa, një ndër artikujt e fundit të “The Daily Mail” në këtë libër titullohet “Nënshkruani ose ju bombardojmë përsëri”, i botuar tre ditë para përfundimit të bombardimeve.

Me “dollinë e fitores” për arritjen e çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, Nimani e përfundon sagën e artikujve të shtypit britanik që përshkruan rrugëtimin e shqiptarëve në luftën për liri.

“Mjekëve të spitalit kryesor të Gjakovës u vinte mirë që e kishin hequr qafe pacientin e fundit serb. Kur Miomir Simonoviq, 22 vjeç, u largua pasi ia kishin qepur krahun i tij të plagosur, ai hodhi një granatë te hyrja e spitalit dhe një breshëri plumbash mitralozi në drejtim të fasadës së tij”, shkruan mes të tjerash në artikull.

Autori Shyqri Nimani ka thënë se puna për këtë libër është shumëvjeçare, derisa vetëm në parathënien 66-faqeshe ka punuar një vit.

“Puna ka qenë e gjatë së paku shtatë vjet. Shtatë vjet kam punuar çdo ditë, paradite katër, pasdite katër orë dhe e kam shtyrë punën e botimit edhe për një vit, sepse desha ta bëj një parathënie”, ka thënë Nimani, grafisti i shquar, autor i shumë logove e stemave të njohura, ndër të cilat edhe ajo e Universitetit të Prishtinës, kaligrafisti i Deklaratës së Pavarësisë shkruar në pergamenë, e që mbrohet si monument.
Nimani ka thënë se një mike britanike i ka mbledhur artikujt.

“Mikesha ime e familjes sime, Diane Golder, e cila është britanike, ajo m’i ka sjellë krejt këto gazeta. Domethënë janë mbi 160 gazeta dhe i kam marrë të gjitha licencat, sepse është dashur të paguhen ato edhe pse prej bombardimeve kanë kaluar 24 vjet”, ka thënë ai.

Theks në parathënien e tij, ai ka dashur t’i japë lashtësisë së popullit shqiptar në Evropë.

“Po më pengon kur po thonë njerëzit që Kosova është shteti më i ri, por ne jemi shtet i vjetër. E kemi popullin e ri. Rini ne kemi më shumë se të tjerët, por jemi popull antik dhe e kam filluar që nga pellazgët e deri në ditët e sotme”, ka thënë Nimani. Fokus në parathënie merr edhe historia e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, e veçanërisht planet për shpopullim e spastrim të Kosovës nga shqiptarët.

Libri i Nimanit përmban aspekte të ndryshme të kohës së fushatës së NATO-s, si artikujt për bombardimet, refugjatët shqiptarë, masakrat dhe zhvillimet ndërkombëtare të kohës. Në dy faqet e fundit të këtij libri autori e krahason një pikturë të 11-vjeçarit kosovar, Labinot Sahiti, me pikturën e Pablo Picassos “Guernica”. Piktura e Sahitit përmban shumë elemente duke përfshirë heronjtë kombëtarë, refugjatët shqiptarë duke ikur nga Kosova, epilogun me plot shpresë për çlirim nga NATO-ja, si dhe nga dy anë të tjera shkatërrimi e rindërtimi i Brodit të Shtërpcës.

“Ai kishte qenë dëshmitar okular kur policia serbe kishte djegur të gjitha shtëpitë në fshatin e tij, Brod, të Komunës së Shtërpcës dhe kishte vrarë dhe masakruar njerëz të pafajshëm”, shkruhet në përshkrimin që Nimani ia ka bërë pikturës së Sahitit.

Shyqri Nimani (80) i shquar në grafikë, dizajn, kaligrafi e muzikë ka publikuar edhe një numër librash të tjerë që lidhen me historinë, si “Trojet shqiptare në harta dhe stema”, “Arnavud – Artistët Shqiptarë në Perandorinë Osmane”, “Gurë të Mozaikut Shqiptar”, si dhe “Mehmet Ali Pasha – Kapedani Shqiptar që ia Ktheu Dinjitetin Egjiptit”.

Fushata 78-ditore e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë ishte përcaktuese për kapitullimin e Serbisë. Sipas sekretarit amerikan të atëhershëm të Mbrojtjes, William S. Cohen, përgjatë saj u hodhën 37.225 bomba në caqe të ndryshme në territorin e Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës, ku 14.200 prej tyre u hodhën deri më 19 maj. Sipas NATO-s, fushata e bombardimit ka ndalur të gjitha veprimet ushtarake, ka siguruar tërheqjen e forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe, si dhe kthimin e pakushtëzuar të refugjatëve e të të zhvendosurve dhe arritjen e Marrëveshjes së Rambuilletit.