Ka filluar dëshminë dëshmitari i radhës në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Ai po dëshmon me video-lidhje dhe sipas gjyqtarit Charles Smith, do i përgjigjet pyetjeve të prokurorisë, mbrojtjes e trupit gjykues për rreth gjashtë orë.
Përmbajtja e dëshmisë së tij u prezantua shkurtimisht nga prokurorja Douina Hattabi.
“Rreth gushtit të 98-s dëshmitari 04571, shqiptar nga Kosova është arrestuar nga disa ushtarë të UÇK-së dhe është dërguar me autoveturë në një shtab lokal të UÇK-së, është marrë në pyetje nga anëtarë të UÇK-së, përfshirë edhe të bashkëndaluar të tjerë dhe i është thënë ndër të tjera se ai duhet ta ndihmonte UÇK-në. Ai mbahej aty i ndaluar me të tjerët tek të cilët kishte shenja të rënda keqtrajtimi. Ai kishte shenja të rënda keqtrajtimi, dëshmitari ende vuan prej disa problemeve të caktuara si pasojë e këtij ndalimi”, ka thënë Hattabi.
Pas këtij prezantimi, seanca është mbyllur për publikun.
Dëshmitari i 51-të dëshmon për ndalimin dhe zhdukjen e të vëllait
Dëshmitari i 51-të në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së po dëshmon lidhur me të vëllain që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) thotë se është i zhdukur. Dëshmitari i mbrojtur siç ka thënë prokurorja e ZPS-së, Vega Iodice, e ka kërkuar të vëllain disa herë te pjesëtarët e UÇK-së dhe nuk i ka gjetur kurrë mbetjet e tij mortore.
“Dëshmitari 04446 mësoi nga një i afërm se i vëllai i tij ishte arrestuar nga UÇK-ja. Kur 04446 shkoi të kërkonte të vëllain, ushtarët e UÇK-së i thanë që të fliste me një komandant të UÇK-së i cili konfirmoi se vëllai i 04446 ishte aty dhe se rasti i tij po hetohej, duke qenë se UÇK-ja besonte se ishte bashkëpunëtor i okupatorit, dëshmitari 04446 dhe anëtarë të tjerë të familjes shkuan sërish që të pyesin për të vëllain disa herë, në një moment të caktuar dëshmitari 04446 e kuptoi se i vëllai i tij nuk ndodhej në komandën e UÇK-së dhe rrezikonte të mos kthehej më. Kufoma e të vëllait të 04446 nuk u gjet kurrë”, tha prokurorja Iodice në përmbledhjen e dëshmisë së dëshmitarit në prokurori.
Seanca ka qenë e mbyllur me përjashtim të paraqitjes së përmbledhjes dhe pjesës ku dëshmitari ka konfirmuar intervistën e tij të dhënë në vitin 2019 te hetuesit e ZPS-së.