Adem Grabovci, Zenun Pajaziti, Besim Beqaj dhe 8 persona të tjerë që janë zyrtarë të ndryshëm publikë, do të dalin në gjykatë për rastin “Pronto”.
Kjo pasi që Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e tyre për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, raporton KTV.
Apeli konstaton se gjykata e shkallës së parë ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë rreth provave të kundërshtuara dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje.
Apeli thotë se a do të vërtetohet fajësia e tyre apo jo nuk mund të supozohet as nga gjykata e as nga palët.
Drita Hajdari, prokurore e rastit “Pronto”, thotë se nuk e ka pranuar ende këtë vendim, por ka thënë se ky është një lajm i mirë se drejtësia në vend është funksionale.
Vendimin e Gjykatës së Apelit nuk e ka pranuar ende as avokati Florent Latifaj, i cili mbron të akuzuarin Adem Grabovci.
Latifaj i ka thënë KTV-së se nuk do ta kundërshtojnë vendimin, çfarëdo qoftë ai.
Vitin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 11 personave, përfshirë ministrin Besim Beqaj, deputetin Zenun Pajaziti dhe ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.
Ata akuzohen për shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Kosovës.