Është dhënë fjala përfundimtare në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-gardianit Dragisha Milenkoviq. Prokurori kërkoi dënimin, pasi theksoi se gjatë procesit gjyqësor janë vërtetuar akuzat se ai i maltretoi gjatë luftës të burgosurit shqiptarë. I akuzuari dhe avokatët e tij mohuan veprat
Ish-gardiani që punoi gjatë luftës në Burgun e Lipjanit dhe në atë të Prishtinës, Dragisha Milenkoviq, e ka bërë paraqitjen e fundit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, para se të shpallet aktgjykimi në lidhje me akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi të.
Milenkoviq akuzohet se në bashkëkryerje, në mënyrë sistematike ka maltretuar të burgosurit shqiptarë.
Prokurori special, Atdhe Dema, gjatë fjalës së tij përfundimtare i propozoi gjykatës ta shpallë të akuzuarin fajtor dhe ta dënojë Milenkoviqin.
“U vërtetua në mënyrë të plotë se i akuzuari në bashkëkryerje dhe më së paku 3 të tjerë, për të cilët ekziston aktvendim i hetimit, ka kryer veprën penale si në akuzë, duke u vërtetuar në tërësi vendi, koha dhe mënyra e kryerës së këtyre veprave penale”, ka thënë Dema.
Dema tha se për veprën që Milenkoviq akuzohet, edhe dëshmitarët kanë ofruar të dhëna para trupit gjykues.
“Nga shumica dërmuese e tyre kemi dëgjuar se po ky është Dragisha Milenkoviq, i cili neve na ka maltretuar, qoftë fizikisht, qoftë psiqikisht, shumica e tyre e kanë identifikuar, si njëri nga personat i cili nuk ka pas sjellje korrekte ndaj tyre, e gjithmonë dhunën e shfaqur sipas atyre që kemi dëgjuar këtu, e ka manifestuar në vazhdimësi”, ka thënë ai.
E i akuzuari Milenkoviq tha se nuk ka kryer asnjë krim.
“Edhe po ta kryeja këtë vepër penale, e unë vërtetoj që nuk e kam bërë. E kam ekipin e avokatëve të mi, kurrë nuk do të betohesha në fëmijët e mi, kurrë nuk do ta përzija familjen në këtë çështje”, ka thënë Milenkoviq.
Mendim të kundërt nga ai i Prokurorisë kanë dhënë edhe avokatët e të akuzuarit. Ata kanë kërkuar lirimin e Milenkoviqit.
“Pas të gjitha provave të nxjerra në shqyrtimin kryesor, nuk kemi mundur ta vërtetojmë që Dragisha e ka kryer atë çfarë i vihet në barrë. Kjo është aktakuzë pa asnjë provë materiale”, ka thënë avokatja Jovana Filipoviq.
Zyra e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, përkatësisht prokurori i shtetit, Atdhe Dema, më datën 26 dhjetor të vitit 2023, e ka ngritur aktakuzën kundër Dragisha Millenkoviqit për veprën penale krim i luftës kundër popullatës civile si dhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se në cilësinë e ish-gardianit të Burgut të Prishtinës dhe të Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgjeve në fjalë, në mënyrë sistematike kanë keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, duke i rrahur me shqelma e grushte, deri në alivanosje dhe, si rezultat i kësaj, duke iu shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike.
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, Milenkoviqi akuzohet se gjatë periudhës prej 24 maj të vitit 1999 deri në datën 10 qershor të vitit 1999, në burgun e Lipjanit, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga burgu i Dubravës në burgun e Lipjanit, fillimisht duke formuar një kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar të kalonin përmes atij kordoni, i kanë rrahur të burgosurit me mjete të forta, me shkop gome, me grushte, me shqelma dhe, pas kësaj, në mënyrë sistematike janë keqtrajtuar duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore.
Në seancën fillestare Milenkoviq është deklaruar i pafajshëm për krime lufte, ndërsa ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.
Prokuroria, në aktakuzë, ka propozuar që gjatë shqyrtimit kryesor të dëgjohen 18 dëshmitarë.
Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Dragisha Milenkovitiq, do të mbahet më 16 prill, duke filluar nga 13:15.