Arbëri

Prokuroria thotë se kontrolli i qendrave ilegale në veri u bë me leje nga Gjykata

Reagime të shumta ndërkombëtare ka nxitur aksioni i Policisë së Kosovës për mbylljen e Qendrave për Punë Sociale në tri komunat veriore. Organet e hetuesisë kanë treguar se policia hyri në institucionet paralele me lejen e gjykatës. Këtë e ka konfirmuar edhe Gjykata Themelore në Mitrovicë

Aksioni i Policisë i ndërmarrë të premten, për bastisjen e Qendrave për Punë Sociale të drejtuara nga Serbia ishte kryer me lejen e Gjykatës Themelore në Mitrovicë. 

Në gjykatë i thanë KOHËS se katër personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt. Të pandehurit sipas gjykatës dyshohen për kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumenteve”. 

“Departamenti i Përgjithshëm me datë 19.02.2025 e ka lëshuar Urdhërkontrollin në katër (4) lokacione të ndryshme, të cilat kanë shërbyer si Qendra për Punë Sociale në kuadër të strukturave paralele. Dyshimet kanë qenë se në këto lokacione të pandehurit kanë kryer veprën penale: Falsifikim i dokumenteve nga neni 390, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së. Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për bastisje në këtë lokacion, por që këto qendra nuk janë mbyllur me vendim të Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë thanë se hetimet po vazhdojnë, mirëpo nuk ndanë informata të tjera lidhur me ecurinë e tyre.

“Kontrolli në këto qendra është zbatuar me urdhëresë të gjykatës. Hetimet në këtë çështje penale kanë filluar ndaj katër personave, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryer në vazhdimësi. Lidhur me provat e sekuestruara, në këtë fazë nuk mund të deklarohemi, meqenëse do të kryhen disa procedura shtesë në raport me të njëjtat”, kanë thënë në Prokurori. 

Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë se qeveria Kurti po vepron me populizëm në pjesën veriore të vendit. 

“Për fat të keq jemi në një politikë të telenovelave turke që s’po përfundojnë asnjëherë. Nëse kanë mbetur institucione paralele do të duheshin të mbylleshin brenda 24 orëve dhe jo të marrim goditje pas goditje. Kjo është një goditje shumë e gabuar që e ka ndjekur qeveria e Kosovës... Unë e shoh më shumë si thellim të dëmtimit të raporteve. Raportet veçse janë të dëmtuara pasi jemi nën sanksione dhe kështu me radhë. Ky është një thellimi dëmtimit, sikurse po dëshirojmë të kacafytemi me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në. Duke parë fotografinë e politikës globale dhe administratën e re në SHBA ne sikurse po dëshirojmë të kemi një fërkim me më të fuqishmin. Nuk po na mjaftojnë këto probleme lokale por po dëshirojmë të shkojmë më tutje. Kjo është jo serioze”, ka thënë Arifi.

Veprimi i Policisë u kritikua nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë të cilin e cilësoi shqetësues dhe thanë se ndikon negativisht te mijëra qytetarë të Kosovës.

Edhe Bashkimi Evropian e Misioni i OSBE-së dënuan aksionin dhe kërkuan që për këto institucione, zgjidhja të gjendet në dialog.