Arbëri

Prokuroria Speciale kërkon dënimin e ish-komandantit të UÇK-së

Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin e të ish-komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi dhe ish-luftëtarit të UÇK-së, Jahir Demakut, të akuzuar për “krime lufte”. E mbrojtja e të akuzuarve në fjalën përfundimtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka kërkuar lirimin e Selimit dhe Demakut, meqë sipas saj, nuk mund të dënohen bazuar vetëm në një provë. Selimi ka thënë se dëshmia e dëshmitarit ‘A’ është gënjeshtër

Në fjalën përfundimtare në rastin “Drenica 1”, Prokuroria Speciale, të hënën në Prishtinë, e ka kërkuar dënimin e ish-komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së, Jahir Demaku, të akuzuar për “krime lufte”. 

Ky rast ishte iniciuar nga EULEX-i dhe nuk është gjykuar që nga viti 2019.

Selimi e Demaku akuzohen për keqtrajtimin e një personi në Likoc të Skenderajt. 
E kjo siç ka thënë prokurorja speciale, Florije Shamolli, vërtetohet nga dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur “A”. 

“Dëshmitari ‘A’ në mënyrë të qartë e përshkroi se si gjatë kohës së konfliktit të brendshëm në Kosovë, gjegjësisht gjatë kohës së luftës, e kishin marrë dy persona, siç i quan ai me veshje të kamufluara të UÇK-së dhe e kishin dërguar në një burg të ashtuquajtur burg i Likocit dhe posa ka arritur atje, përpos që është maltretuar dhe e kemi me aktgjykim të formës së prerë për të akuzuarit, kishte parë edhe një viktimë tjetër, e cila viktimë ishte nga fshati Shipol i Mitrovicës. Ky person, dëshmitari ‘A’, e kishte parë shumë mirë kur dy të akuzuarit e kishin rrahur dhe maltretuar këtë person i cili ishte civil. Në qoftë se analizojmë deklaratat e tyre. Ai shkurt ishte përgjigjur: Ne mundësi për të ndihmuar nuk kishim askush, ndërsa arsyeja pse ky person u rrah ishte për t’u treguar të tjerëve se në qoftë se nuk jeni përkrahës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një gjë e tillë do t’ju ndodhë edhe juve”, ka thënë Shamolli. 

I akuzuari Sylejman Selimi ka thënë se dëshmitari ‘A’ ka dhënë deklaratë të rrejshme dhe se nuk ka kuptim nga ana objektive, që në kulmin e ofensivës serbe të ketë mundësi për t’u marrë me rrahjen e ndokujt. 

“Kam pasur me qindra forca duke luftuar, shumë njerëz të plagosur dhe të vrarë, s’janë të argumentuara e të dëshmuara, që unë të shkoj e ta rrah një person në 12 të natës ku deri te objekti është dashur t’i bëj 5 apo 10 kilometra. Më komike dhe më fyese se me thanë e ka rrahur një person pse nuk i ka shit dele UÇK-së, po a ka më turp në këtë proces. Kam luftuar ndershëm për këtë vend dhe kurrë nuk e mohoj, është krenaria më e madhe e jetës sime”, është shpreh ai. 

E mbrojtësi i tij, Artan Qerkini, ka thënë se dëshmitari ka dhënë dëshmi kontradiktore.

“Tash kundërthënia është më se evidente. Në fazën e hetimeve thotë se arsyeja pse vëllezërit nga Shipoli kanë qenë të burgosur dhe njëri prej tyre është rrahur, ka qenë se ju ka shitur dele serbëve, ndërsa kur është pyetur për të njëjtin incident në shqyrtimin kryesor thotë se kanë qenë të burgosur për shkak se e kanë sharë UÇK-në dhe kinse njëri prej tyre është shtirur si i çmendur”, ka thënë Qerkini. 

Ai ka thënë po ashtu se Selimi nuk mund të dënohet me vetëm një provë.

“A ka prova të tjera? Nuk ka. U pyet prokuroria se në cilën provë e mbështet akuzën e saj, pikën 6 të aktakuzës: vetëm në deklaratën e dëshmitarit ‘A’ që po na jep të kuptojmë se kjo deklaratë e dëshmitarit ‘A’ nuk mbështetet në asnjë dëshmitar tjetër apo provë materiale tjetër”, është shprehur Qerkini.

Kundërshtim ndaj deklarimit së Prokurorisë kanë shprehur edhe Jahir Demaku dhe mbrojtësi i tij, Mexhit Syla. Demaku ka thënë se EULEX-i donte ta dëshmonte veten në publik duke fabrikuar një rast me persona që ishin pjesë të UÇK-së e që mbanin pozita publike. 

“Premtimet e bëra nga EULEX-i për një jetë më të mirë dhe që të dëshmojë sipas dëshirës së tij, ka qenë mundësi shumë e favorshme për ta përdorur atë që të shpikë  gjëra që fare nuk kanë ekzistuar”, ka thënë Demaku. 

E avokati Mexhit Syla është shprehur se dëshmitar në këtë rast është një person që ka aplikuar për status të veteranit pa qenë i tillë. 

“Prokurorja tha statusin e veteranit, po çfarë statusi të veteranit, ai s’ka status të veteranit as asgjë. Ka aplikuar në mënyrë të rrejshme, me të dhëna të rrejshme, duke deklaruar se ‘me përgjegjësi të plotë materiale dhe morale deklaroj se kështu e ashtu’”, ka thënë ai. 

Gjykata Themelore në Mitrovicë në maj të vitit 2015 pati dënuar Selimin me tetë vjet burgim për keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës. 

Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Isni Thaçi u dënuan me nga shtatë vjet burgim, ndërsa me tri, u dënuan Nexhat Demaku, Agim Selmani, Driton e Bashkim Demaj dhe Fadil Demaku. 

Pas ankesave nga palët, Apeli ia pati ulur dënimin Selimit për një vit. Ndërkaq në vitin 2019, Gjykata Supreme e ktheu këtë rast në rigjykim.


Gjatë seancës së fjalës përfundimtare për rastin ku po akuzohen ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi dhe ish-luftëtari, Jahir Demaku për keqtrajtim të një personi të ndaluar në Likoc të Skenderajt, si krim lufte, prokurorja Florije Shamolli, e ka cituar dëshmitarin A të ketë thënë gjatë dëshmisë së tij se e ka parë viktimën duke u keqtrajtuar nga dy persona në këtë fshat. 

“Ne mundësi për të ndihmuar nuk kishim, ndërsa arsye pse personi është rrahur ishte se nuk ka qenë përkrahës i UÇK-së”, citohet të ketë thënë ai.

Shamolli e cila është prokurore në rastin “Drenica 1”, ka thënë se me Konventën e Gjenevës është me rëndësi të dihet se kur ka ndodhur rasti. 

Selimi gjatë fjalës së tij e ka mohuar veprën për të cilën akuzohet.

“Kemi mbajtur dënim, siç e tha edhe parafolësi im, Jahiri. Është rëndë ta mbash një dënim për një vepër që nuk e kemi bërë. Ne kemi mbajtur burg pa e ditur pse e kemi mbajtur. Me një dëshmitar që shpif - që thotë se e kam rrahur dikë, po kë e kam rrahur”, ka thënë Selimi.

Ai ka shtuar se në mes të ofensivës serbe nuk ka mundur të merrej me rrahje në kohën më të vështirë të luftës. 

“Kam luftuar ndershëm dhe kjo është krenaria e jetës sime”.

Ndërsa i akuzuari Jahir Demaku ka thënë se dëshmia e dëshmitarit A është e rrejshme “që i ka konvenuar vetëm EULEX-it për t'i bërë vetes publicitet në publik, për tu bërë sikur po merren me raste të mëdha, meqë kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së dhe kishin pozita publike”.

Në këtë rast akuzohen, Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku, për keqtrajtim si krim lufte lidhur me një person të ndaluar në Likoc të Skenderajt.

Mbrojtësi i Jahir Demakut, Mexhit Syla ka thënë se ka pritur që Prokuroria të sjellë prova të reja për këtë rast, por nuk ka sjellë asnjë provë të re. 

Ai po ashtu tha se akuza e prokurorisë është e mbështetur vetëm në një provë: në deklaratën e dëshmitarit A, i cili e ka thënë se e ka parë një person nga Shipoli, por që nuk i dihet identiteti.

Edhe mbrojtësi i Sylejman Selimit, Artan Qerkini, ka thënë se deklaratat e dëshmitarit A janë kontradiktore. 

Në prokurori, sipas Qekinit, ai kishte thënë se viktima ishte dënuar meqë i kishte shitur dele serbëve, ndërsa herën tjetër në gjykatë më 2014 ka thënë se arsyeja pse u keqtrajtua është se e kishte sharë Ushtrinë Çlirimtare. 

Mbrojtja ka shtuar se nuk mund të dënohet i akuzuari me vetëm një provë.

Ky rast ishte i pagjykuar që nga viti 2019, kur ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme. Është kthyer pjesërisht në rigjykim lidhur me akuzën ndaj Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut për keqtrajtim në Likoc të Skenderajt – lokacion ky që kohë pas kohe dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e kanë përmendur si vendndalim në shqyrtimet gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 25 prill.