Kallëzimi penal i parashtruar muaj më parë nga Lëvizja Vetëvendosje kundër kryetarit të Prizrenit dhe vartësve të tij lidhur me procesin e përzgjedhjes së drejtorëve është hedhur poshtë nga Prokuroria Speciale. Pas kësaj drejtoresha e Arsimit ka paralajmëruar padi ndaj të gjithë atyre që bëjnë kallëzime penale të rrejshme.
Prokuroria Speciale ka hedhur poshtë kallëzimin penal të parashtruar nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren kundër kryetarit të Komunës, drejtoreshës e personelit të Drejtorisë së Arsimit, si dhe drejtuesve të përzgjedhur të shkollave.
Kjo prokurori ka vlerësuar se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se ata kanë kryer veprat penale si në kallëzim penal apo ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Drejtoresha e Arsimit në Prizren ka thënë se e ka ditur që kallëzimi penal do ta kishte këtë epilog.
“Si drejtoreshë e Arsimit i mirëkuptoj zemërimet e opozitës, sepse gjatë mandatit të qeverisjes së tyre për katër vite të tëra, jo që nuk kanë arritur të hapin procese të rekrutimit për përzgjedhje të menaxherëve të shkollave, por edhe më keq që vitet e fundit ka pasur vetëm emërime në pozita të drejtuesve të shkollave”, ka thënë drejtoresha e DKA-së, Luljeta Veselaj-Gutaj.
Në shtator të këtij viti Vetëvendosja pati paraqitur kallëzimin penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, me pretendimin se procesi i përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave ka pasur parregullsi ligjore, dhe ka ndikuar negativisht në integritetin dhe kredibilitetin e sistemit arsimor.
E, drejtoresha e Arsimit ka paralajmëruar padi ndaj atyre që e kanë kallëzuar penalisht.
“Beteja ligjore me shpifësit nuk do të ndalet këtu. Të gjithë ata që e shtrembërojnë të vërtetën në dëm të institucioneve do të paditen, për kallëzime penale të rrejshme po ashtu do të marrin edhe padi civile. Makineria e propagandës e cila të pavërtetën e shet në popull si të vërtetë duhet dhe do të ndalet njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Veselaj-Gutaj.
Depolitizimi dhe punësimet mbi baza të meritave ishin zotime të kryetarit Totaj në fushatën paraelektorale. Gjatë muajve të shkuar procesi i përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave është kontestuar vazhdimisht nga opozitarët, me pretendimet se ato po rezervohen për kandidatët që kanë afërsi me partitë në pushtet.