Dëshmitari i 106-të me radhë në rastin në të madh të Speciales, ka dëshmuar lidhur me akuzat e prokurorit të Specializuar se është rrëmbyer dhe keqtrajtuar për disa ditë gjatë luftës. Dëshmia e tij është dhënë në seancë të mbyllur për publikun, por sipas shkresave të Prokurorisë, ai është rrahur me mjete të forta dhe është kërcënuar me vrasje
Në seancë të mbyllur për publikun, të enjten në Gjykatën Speciale në Hagë, ka dëshmuar dëshmitari i 106-të me radhë, që sipas Prokurorisë është shqiptar.
Prokurori Cezary Michalczuk është shprehur se dëshmitari është rrëmbyer gjatë luftës nga pjesëtarë të UÇK-së, të veshur me uniforma të zeza dhe më pas është keqtrajtuar.
“Në 1998-n, dëshmitari ‘04393’ u rrëmbye nga tre persona të armatosur dhe me maska që mbanin uniforma të zeza të UÇK-së dhe emblemën e UÇK-së, e çuan në një vend të UÇK-së dhe e mbajtën të ndaluar për disa ditë. Atje i kanë bërë pyetje anëtarët e UÇK-së dhe është keqtrajtuar në mënyrë të përsëritur”, ka thënë Michalczuk.
Në kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për pranimin e deklaratave të dëshmitarit me shifrën “04393” dhe katër të tjerëve thuhet se dëshmitari është rrahur me mjete të forta. Prokuroria pretendon po ashtu se dëshmitari është kërcënuar me vrasje gjatë kohës së ndalimit.
“Një prej këtyre burrave mbajti një pushkë automatike në qafën dhe shpinën e dëshmitarit ‘04393 dhe e kërcënoi se do ta vriste. Ai dëgjoi po ashtu këta burra tek e shqyrtonin mundësinë që ta vrisnin. Dëshmitari ‘04393’ u ndalua në [E REDAKTUAR]. Dëshmitari ‘04393’ u mor në pyetje të paktën për një orë lidhur me [E REDAKTUAR]. Gjatë marrjes në pyetje, ai u rrah me shtagë, u grushtua dhe u godit me shkelma”, thuhet në kërkesën e ZPS-së, që në disa vende është e redaktuar.
Në gjykimin e katër ish-pjesëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, që akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dëshmitarët në disa raste kanë përmendur uniformat e zeza.
Pjetër Shala, që u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte nga shkalla e parë e Speciales, pati thënë se kur u bë pjesë e policisë ushtarake e ndërroi uniformën e gjelbër me të zezë.
ZPS-ja pretendon se Policinë Ushtarake e ka udhëhequr Rexhep Selimi, njeri prej katër të akuzuarve në këtë rast.
Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhen me gjashtë akuza për krime lufte dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit. Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se qëllimi ishte të luftohej Serbia e jo civilët.