Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke hetuar një grup në rrjetet sociale në të cilën shpërndahen të dhëna personale të grave si dhe fotografi e video eksplicite të tyre. Në këtë grup, i cili numëron rreth 100 mijë përdorues, po ashtu kërkohen fotografi intime të vajzave të mitura.
Afro 100 mijë përdorues shqiptarë, kryesisht me emra të burrave janë bërë bashkë me një qëllim në një grup të quajtur “Albkings” në rrjetin social Nicegram, në kuadër të Telegramit.
Në këtë grup, shpërndahen foto dhe video eksplicite kryesisht të vajzave dhe grave, të dhëna personale si numri i telefonit, vendbanimi e llogaritë në rrjete sociale.
Materialet që shpërndahen janë edhe të vajzave nën moshën 18-vjeçare, e në disa raste përdoruesit kanë shprehur frikën nga Policia për këtë veprim.
Lidhur me çështjen, KOHA ka pyetur në Polici, por nuk kanë kthyer përgjigje nëse janë duke hetuar rastin, ndërsa në Prokurorinë Themelore të Prishtinës treguan se janë duke hetuar këtë rast.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se jemi duke e trajtuar këtë çështje”, ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
KOHA ka provuar të kontaktojë me disa nga vajzat që u janë shpërndarë të dhënat personale.
Disa nga to në kushte anonimiteti thanë se të dhënat personale u janë shpërndarë pa pëlqimin e tyre.
“Nuk është hera e parë që kanë shpërndarë foto të miat. Kanë qenë edhe tre raste të fotove nudo, në të cilat nuk kam qenë unë, por kanë pretendu që jam. Në rast që nuk gjejnë material për personin specifik, krijojnë dhe shpërndajnë me raste të rreme, me raste jo. Personalisht e kam një shoqe që iu patën shpërnda foto nudo të rreme dhe ajo i ka mbyllur të gjitha rrjetet sociale për shkak të këtij fenomeni”, ka thënë V.R. 24-vjeçare.
“Mua ma kanë përdorur foton kinse ia kam dërguar një djali, por atë foto e kam postu para 2 vjetëve dhe pa kaluar një javë e kam fshi. Do të thotë ka dalë shumë kontrast dhe për atë e kam përjetuar shumë rëndë. Rastin nuk e kam lajmëruar personalisht në Polici, por një i afërm imi po”, ka thënë U.D. 18-vjeçare.
Së fundmi në këtë grup, është shpërndarë edhe kontakti i një anëtareje të kabinetit të Qeverisë, ku pastaj përdoruesit e grupit kanë keqpërdorur atë duke iu drejtuar me mesazhe e thirrje. Siç kupton KOHA, ajo ka lajmëruar rastin në Polici.
Krenare Sogojeva-Dermaku, komisionare e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, tha se nuk kanë pranuar ankesa për këtë çështje. Sipas saj, për keqpërdorime të tilla bashkëpunojnë me organet e drejtësisë.
“Kjo nuk përbën një vepër të thjeshtë, por është një vepër penale dhe të njëjtat duhet të trajtohet nga organet gjegjëse në vend. Agjencia këto raste nuk i trajton në nivelin e vet administrativ, por direkt i drejton te Policia apo Prokuroria”, ka thënë Sogojeva-Dermaku.
E eksperti i kibernetikës, Tanzer Abazi, thotë se arsyeja pse është zgjedhur rrjeti social Telegram, për shkëmbimin e mesazheve është sepse ofron kushte anonimiteti.
Sipas tij, jo çdo informacion që shpërndahet në grup është i vërtetë.
“Është shumë e vështirë për organet e zbatimit të Ligjit për më i identifiku këta akëterët, për shkak të anonimitetit dhe mundësisë që e jep teknologjia për me u fsheh. Nuk po them që është e pamundur, por thjeshtë nëse “hakerat” apo “kriminelat kibernetik” i kanë marrë të gjitha parametrat për me rujtë anonimitetin atëherë duhet të jetë pothuajse e pamundur që të identifikohen se kush e bën këtë”, ka thënë Abazi.
Në këtë grup janë të shpërndara rreth 30 mijë foto dhe 20 mijë video. Grupi “Albkings” është aktiv që nga nëntori i 2022 -s.