Arbëri

Prokuroria nis hetimet për këmbimin e pronave të kryeqytetit

Përparim Rama

Dy procese kanë marrë rrugë në organet e drejtësisë, pas raportimit të KOHËS për këmbimin e pronës komunale me atë private të ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Prokuroria ka nisur hetim parapenal, e Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka paditur Komunën, nën arsyetimin se vendimi është i jashtëligjshëm.

Prokuroria e Shtetit ka nisur hetim parapenal, pas raportimit të KOHËS për këmbim të pronës së kryeqytetit në lagjen “Prishtina e Re” me një tokë në Badoc, që është në pronësi të dy ish-klientëve të kryetarit Përparim Rama.

Nisjen e hetimeve parapenale e ka konfirmuar të enjten ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi.

“Pasi Prokuroria e Shtetit është njoftuar nga mediumi juaj për dyshimet e ngritura në procesin e këmbimit të pronave, kemi filluar mbledhjen e informatave. Prokuroria Speciale tashmë ka filluar hetim parapenal për këtë rast”, i ka thënë KOHËS Kelmendi.

Për këtë këmbim prone, Komuna e Prishtinës do të përballet edhe me padinë e ushtruar të enjten nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Në padinë për inicimin e konfliktit administrativ thuhet se në vendimin që e ka marrë Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk janë aplikuar fare dispozitat ligjore, nuk është vepruar sipas rregullave të procedurës, nuk është vërtetuar drejt gjendja faktike apo nëse nga faktet e vërtetuara është nxjerrë konkluzioni jo i drejtë në pikëpamje të gjendjes faktike.

“Me aktin përfundimtar administrativ, i nxjerrë sipas vlerësimit të lirë, organi i ka tejkaluar kufijtë e autorizimit ligjor ose akti i tillë nuk është nxjerrë në pajtim me qëllimin e këtij ligji”, thuhet në padinë e IKD-së.

Në të theksohet se Komuna e ka obligim t’i shërbejë interesit publik dhe se në rastin e këmbimit të këtyre pronave, është dëmtuar ky interes.

“Vendimi i atakuar është plotësisht i kundërligjshëm. I njëjti vendim nuk i plotëson kriteret ligjore për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale, nuk ndjek interesin publik, por e cenon atë, nuk e respekton procedurën e përcaktuar ligjore të këmbimit të pronës së paluajtshme komunale dhe këmben prona pakrahasimisht joekuivalente, duke dëmtuar pasurinë publike. Si i tillë, në tërësinë e tij, vendimi i atakuar është arbitrar dhe tërësisht i kundërligjshëm”, thuhet në padinë e ushtruar nga IKD-ja.

Përmes padisë, IKD-ja ka kërkuar edhe pezullimin e zbatimit të vendimit.

“Mund të konkludohet se është pikërisht mosshtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi ajo që i sjell dëm palës kundërshtare, në rastin konkret Kuvendit të Kryeqytetit – Komunës së Prishtinës. Pa marrë parasysh cilësinë e palës së paditur, në rastin konkret, objekt i kërkesëpadisë është mbrojtja e interesit publik, që konsiston në pronën e paluajtshme komunale të Komunës së Prishtinës”, thuhet në padi.

Padia është bërë pasi KOHA ka raportuar se me propozim të ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kaluar vendimi për dhënien e pronës rreth 7-hektarëshe në “Prishtina e Re” biznesmenit Rrahman Haradini, në këmbim të rreth 10 hektarëve që i kishte në pronësi në Badoc. Mbi bazën e këtij vendimi, edhe kryetari aktual Rama e ka nënshkruar kontratën me ish-klientin e tij.

Mbi po të njëjtën bazë ka propozuar këmbimin edhe të një prone tjetër me vlerë dhjetëra miliona euro, me pronën 8-hekatëshe në Badoc. Vendimi i fundit ka kaluar edhe me ndihmën e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, prezenca e të cilëve në sallën e Kuvendit Komunal u interpretua nga kryesuesi si kuorum për vendimmarrje.