Arbëri

Prokuroria insiston se fajësia e aktivistëve të LVV-së u vërtetua, mbrojtja kërkon lirimin e tyre

Në fjalën përfundimtare në rastin gjyqësor për nxitje të urrejtjes dhe kanosje të gjyqtarit e një prokurori, Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin e të katër të pandehurve – dy prej të cilëve mbajnë pozita në Lëvizjen Vetëvendosje. E mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuan që ata të lirohen nga akuzat

Paraqitjen e fundit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, para shpalljes së aktgjykimit për rastin e nxitjes së urrejtjes dhe të kanosjes, e bënë të martën zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, shefi i kabinetit të ministrit të Shëndetësisë, Egzon Azemi, dhe Qerim Elshani e Edi Zenelaj. 

Në këtë rast, Manxhuka e Azemi akuzohen për nxitje të urrejtjes, ndërsa Elshani e Zenelaj për kanosje ndaj ish-prokurorit special, Afrim Shefkiu, dhe gjyqtarit Mentor Bajraktari. 

Prokurorja Speciale, Fikrije Fejzullahu, tha se shprehjet që të akuzuarit i përdorën në rrjetet sociale e grafitë, e në të cilat gjyqtari dhe prokurori u përshkruan si shtyllë e turpit pas lirimit të të dyshuarit për terrorizëm, Dejan Pantiq, bënë që Shefkiu e Bajraktari t’i ekspozohen frikës. 

“Ky sinkronizim i veprimeve realisht në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ka qenë i drejtuar në lëndim të institucioneve prej nga kanë ardhur të dëmtuarit. Qëllimi final i veprimeve të të akuzuarve ishte pikërisht shqetësimi, kërcënimi apo kanosja e drejtpërdrejtë në ta, si persona zyrtarë dhe te familjarët e tyre”, ka thënë Fejzullahu. 

Ajo theksoi se për të pandehurit nuk ka prova shfajësuese. 

E avokatja e të pandehurit Manxhuka, në fjalën përfundimtare të paraqitur me shkrim, theksoi se ato që u shkruan bien në domenin e deklarimit politik dhe se në to nuk u përmendën Bajraktari e Shefkiu.

“Nuk e kontestojmë faktin se i mbrojturi i Arlind Manxhuka ka postuar në rrjetin e tij social Facebook, më datë 28.12,2022, postimet. ‘Ky aktlirim është akt tradhti’ dhe ‘për kë punon kjo gjykatë’, ‘Kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak jam kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe ai gjykatës paraprak që e ka marrë këtë vendim’, kryeministri Kurti, mirëpo në asnjë prej statuseve të postuara nuk apostrofohen emra të përveçëm se kujt i drejtohen të njëjtat”, ka thënë avokatja në fjalën përfundimtare për Manxhukën.

E, i pandehuri Azemi, në fjalën përfundimtare shprehu kritikë për Prokurorinë Speciale teksa gjithë gjykimin e quajti politik. 

“Ne po akuzohemi pse folëm, pse u lirua Pantiq, ndërkohë në Serbi gjykohen vetëm që e njohin shtetin e Kosovës, ata që bashkëpunojnë me institucionet tona dhe çuditërisht ngjashëm po shërben edhe Prokuroria Speciale që liron terroristët dhe akuzon aktivistët. Prandaj, normalisht se duhet të pyesim: vallë për kë punon kjo prokurori”, ka thënë Azemi. 

Avokatja e tij, Teuta Xhema, tha se nuk ka se si të konstatohet akuza për nxitje të urrejtjes, për çka kërkoi që klienti i saj të lirohet nga akuza. Këtë kërkesë e paraqitën dhe avokatë të të akuzuarve Elshani e Zenelaj.

Sipas Prokurorisë, dy eksponentët e LVV-së nxitën urrejtje dhe mosdurim ndaj Bajraktarit e Shefkiut me postimet e dhjetorit të 2022-tës. Azemi pati shpërndarë citatin “tradhtarët, plumbin e kanë hak” e Manxhuka shkroi se “ky aktlirim është akt tradhti”, kur ndaj Pantiqit u ndryshua masa e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak. 

Elshani akuzohet se kanosi prokurorin e gjyqtarin duke shkruar se atyre “duhet t’u hidhet bombë në gojë”, e Zenelaj se bëri grafitë me emrat e tyre, duke i kualifikuar si shtyllë turpi.