Arbëri

Prokuroria heton zyrtarët që synuan parandalimin e blerjes së barnave jocilësore

Gati dy vjet prej kur Ministria e Shëndetësisë ka ndryshuar Udhëzimin Administrativ për thjeshtësimin, regjistrimin dhe importin e produkteve mjekësore të cilat nuk kanë paralele të regjistruara në Kosovë,  Prokuroria e Shtetit ka nisur hetim parapenal.

Në tetorin e vitit 2022 ky udhëzim administrativ është ndryshuar për shkak se Organi Shqyrtues i Prokurimit i pati dhënë të drejtë një kompanie farmaceutike që pa certifikatë të cilësisë së ilaçit t’i furnizonte institucionet shëndetësore me insulinë për diabetikët.

Në fundin e tetorit të atij viti, brenda 24 orësh, Ministria pati hartuar një udhëzim të ri administrativ që rregullon futjen e barnave në Kosovë pa Autorizim Marketingu. Me këtë akt juridik iu pamundësua pjesëmarrja në tenderë kompanive që nuk kanë Autorizim Marketingu, me të cilin garantohet kualiteti i barnave.

Por një shkresë e Drejtorisë së Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës e datës 20 qershor, konfirmon që nxjerrja e shpejtë e këtij udhëzimi administrativ po hetohet.

Përmes kësaj shkrese, Policia ka kërkuar informata të detajuara për këtë proces.

Ministrisë së Shëndetësisë i janë parashtruar katër pyetje për të cilat hetuesia pret përgjigje.

“Prej cilës datë është në fuqi Udhëzimi Administrativ ua 02-2014?; Cili Udhëzim Administrativ ka qenë në fuqi më herët para Udhëzimit Administrativ 02-214?; Kur është bërë ndryshimi i UA 04-2014, mundësisht na specifikoni cilat ndryshime janë bërë në këtë udhëzim; A janë respektuar afatet kohore në lidhje me ndryshimin në Udhëzimin Administrativ 04-2014, nëse ka pasur ndryshime?”, thuhet në shkresë.

E në fjalinë e parë të kësaj shkrese konfirmohet hetimi.

“Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke trajtuar autorizimin e lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, andaj me qëllim të verifikimit dhe hetimit të rastit në tërësi, kërkojmë informata”, thuhet në shkresë.

Veprimi ishte ndërmarrë në vitin 2022, pasi KOHA raportoi për vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili i hapte rrugë blerjes së barnave pa kualitet e efikasitet të siguruar. Menjëherë pas raportimit, me kërkesë të Dafina Gexhës, që atëkohë ishte ministre në detyrë e Shëndetësisë, kryeministri Albin Kurti vendosi për shmangie të procedurave për finalizimin e Udhëzimit Administrativ.

E, një ditë pas vendimit të Kurtit, dokumenti është finalizuar dhe nënshkruar nga Gexha.

Tenderi për furnizim me insulina ka qenë një nga temat më të diskutuara të shëndetësisë në vitet e fundit. OSHP-ja insistonte që kompania ka të drejtë të furnizojë institucionet me barna pa certifikatë të cilësisë, e në anën tjetër, Ministria këmbëngulte që blerja e barnave pa këtë certifikatë është e rrezikshme.

Historia e këtij tenderi është përmbyllur kur një kompani në Maqedoni konfirmoi që biznesi kosovar pos që nuk kishte Autorizim Marketingu, ua kishte falsifikuar autorizimin që thoshte se produktet e asaj kompanie do të silleshin në Kosovë.