Arbëri

Prokuroria e Shtetit: Prokurorët me Policinë në gjendje gatishmërie që të reagojnë për çdo rast

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se është duke mbikëqyrur procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës për kryetarë të tyre, duke bërë të ditur se prokurorët bashkë me Policinë janë të angazhuar në stacione policore atje, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit.

Në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria Speciale, thuhet se në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar edhe gjyqtarë kujdestarë që janë në gatishmëri për çdo eventualitet.

Më tej është bërë thirrje për qytetarët, mediat e shoqërinë civile që të raportojnë në organet kompetente të gjitha problemet.

“Po ashtu, prokurori i shtetit me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë në Polici dhe Prokurori për të gjitha pretendimet eventuale lidhur me keqpërdorimet zgjedhore”, thuhet në njoftim.