Arbëri

Prokuroria e Pejës nis hetimet për pendën e dëmtuar nga eksploatimi ilegal i zhavorrit

Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur hetimet paraprake lidhur me dëmtimin e pendës në fshatin Kliqinë, e cila shfrytëzohet për ujitjen e tokave të fshatit Jabllanicë e Leshanit të Pejës. Hetimet kanë nisur të mërkurën, bazuar në raportimin e KOHËS, pas pretendimeve të fermerëve se penda e tyre është dëmtuar nga eksploatimi ilegal i zhavorrit.

“Më datën 2 maj, gjatë monitorimit të mediave, kemi hasur në storien e publikuar në lajmet qendrore të KTV-së, me ç’rast këtë storie e kemi dërguar te prokurori kujdestar për vlerësim se a ka elemente të veprës penale. Kjo ka ardhur si rezultat i shqetësimeve të fermerëve, të cilët kanë shprehur shqetësimet për dëmin e pretenduar në pendë nga eksploatimi ilegal i zhavorrit. Prokurori i Shtetit ka vlerësuar se mund të ketë elemente të veprës penale”, tha për KOHËN zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Prokurori i Shtetit, tregon Nikçi, ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime konkrete hetimore në terren.

“Pasi të merren këto veprime dhe të bëhet përcaktimi i elementeve penale, njëkohësisht Policia duhet ta bëjë identifikimin e kryerësve të kësaj vepre dhe më pas në koordinim me prokurorin e Shtetit, do të procedohet me tutje rasti”, tha Nikçi.

Fermerët e fshatit Jabllanicë e Leshanit i kanë thënë KOHËS se shkaktar i këtij dëmi që llogaritet dhjetëra-mijëra euro është eksploatimi ilegal i zhavorrit buzë shtratit të lumit, rreth 400 metra mbi pendë. Sipas tyre, pas reshjeve të mëdha të shiut në janar dhe shkurt, është rritur niveli i lumit dhe ai ka devijuar nga shtrati në vendin ku është nxjerrë zhavorri. Kjo, tregojnë ata, ka bërë që uji të rrjedhë poshtë, duke gërryer dheun dhe për pasojë duke dëmtuar murin mbrojtës.

Fermerët nuk e kishin paraqitur rastin në Polici apo Prokurori, e ndërkohë edhe Komuna ka angazhuar inspektorët e saj në këtë rast.

“Kanë dalë inspektorët e Komunës dhe të ambientit në vendngjarje për të parë se cili është dëmi dhe çka do të ndërmarrin më tutje. Pasi të kthehen ata dhe t’i kemi informatat, ne do të koordinohemi me gjitha institucionet dhe do t’i shohim procedurat më tutje”, tha për KOHËN drejtori komunal i Bujqësisë në Pejë, Mehdi Mulaj.

Gjithashtu, edhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka paralajmëruar se do ta kryejë inspektimin në vendin e ngjarjes për ta identifikuar operatorin që ka shkaktuar dëmin.

Penda e ndërtuar në vitin 2015 ka kushtuar mbi 150 mijë euro dhe është bashkëfinancuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Komuna e Pejës. Ajo është lëshuar në funksion në vitin 2016 dhe që nga ai vit fermerët e fshatit Jabllanicë e Leshanit i kanë ujitur tokat e tyre për pesë vjet pa probleme.