Arbëri

Prokuroria e Komuna përplasen për rrënimin në “Abi Çarshia”

Prokuroria e Prizrenit thotë se veprimi i Komunës së Prizrenit dhe i Inspektoratit të kësaj komune për rrënimin e një pjesë të qendrës tregtare “Abi Çarshia” nuk është ligjor.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, sulmin gjatë fundjavës ndaj Policisë dhe Prokurorisë, e ka quajtur të papranueshëm, raporton KTV.

Sipas Shalës, Inspektorati Komunal, nuk duhet të rrënojë asnjë objekt që është në proces të legalizimit, siç ka vepruar me objektin e “Abi Çarshisë”.

Shala ka thënë se i kanë kërkuar kryetarit Mytaher Haskuka dhe drejtorit të Inspeksionit të mbajnë takim dhe të diskutojnë për zgjidhje të kësaj problematike, por ata nuk kanë pranuar.

Ndërsa, drejtori i Policisë së Prizrenit, Faton Alija, ka thënë se ka zbatuar ligjin derisa të dielën ka penguar Inspektoratin t’i vazhdojë rrënimet.

Por këto i ka mohuar drejtori i Inspektoratit të Prizrenit, i cili ka thënë se objekti i “Abi Çarshisë” vazhdon të jetë pa leje.

Policia ishte ajo që të premten asistoi Inspektoratin që të nisë rrënimet, por të dielën Policia tha se zbatoi vendimin e Prokurorisë që i ndalonte hyrjen brenda qendrës edhe Inspektoratit komunal.