Arbëri

“Prokuroria duhet ta intervistojë Kurtin për publikimin e emrave të organizatorëve të protestave”

Njohësit e çështjeve politike e të sigurisë në vend thonë se kryeministri i Kosovës nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punët e sistemit të drejtësisë e aq më pak t’i bëjë publik emrat e personave të dyshuar për trazirat në veri të vendit ditëve të fundit. Kjo duke iu referuar publikimit të një grupi të emrave nga Albin Kurti në seancën e Kuvendit, ku tha se ata janë pjesë e grupeve kriminale serbe në veri.

Ai filloi me Millorad Jevtiq, për të cilin Kurti tha se është njëri nga drejtuesit e grupit kriminal. Po atë ditë, Kurti dha edhe disa emra të tjerë, për të cilët ai tha se kanë lidhje me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, thotë se publikimi i këtyre emrave është bërë për efekt elektoral. Thotë se kjo punë është e drejtorit të Policisë së Kosovës.

“E para kjo nuk është punë e kryeministrit me dal dhe me pohuar emra dhe mbiemra sepse kjo është çështje e drejtësisë ne momentin kur të gjitha provat edhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me një rast, në këtë rast për çështjen e atyre njerëzve të cilët i ka përmend. Punë e jona është që t’i informojmë organet e sigurisë dhe organet e sigurisë dhe organet e drejtësisë merren, sepse kjo është shumë çështje sensitive, nuk dilet me emra të njerëzve”, thotë Sheholli.

“Por besoj që organet e drejtësisë, do të thotë Prokuroria, kishte me qenë shumë e arsyeshme që ta ftoj kryeministrin e Kosovës dhe ta pyet nga i ka të gjitha këto të dhëna lidhur me emra dhe mbiemra të cilët i ka shprehur”, thotë tutje ai.

Sheholli shprehet se kryeministri i vendit “nuk është ai që e dëshmon fajësinë ose pafajësinë e dikujt”.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, e quan gabim të madh që punët operacionale të institucioneve të keqpërdorën nga niveli politik.

Shala thotë se ky deklarim i Kurtit, e ka vështirësuar punën e Policisë që t’i arrestojë të njëjtit.

“Unë mendoj që është një gabim në nivelin politik që punën operacionale të institucioneve të sigurisë të përdoren e të keqpërdoren nga niveli politik për të krijuar një konfuzitet në opinionin publik, se gjoja ai është i informuar për çdo element kriminal në pjesën veriore. Pra mbi këtë bazë kryeministri Kurti ka gabuar sepse ja ka vështirësuar dhe tani më ja ka pamundësuar që këta persona të apostrofuar nga ana e kryeministrit që janë pjesë përbërëse e grupeve kriminale mund të arrestohen nga ana e policisë së Kosovës, sepse tani më ata janë të paralajmëruar që shteti i Kosovës e din vendet, i din lokacionet, i din organizatorët se kush qëndron prapa protestave. Pra një naivitet i plotë nga ana e kryeministrit Kurti ka shkaktuar një pamundësi operacionale për t’i sjell këta persona para drejtësisë”, thotë Shala.

Shala thotë se Prokuroria Speciale është dashur ta intervistojë kryeministrin Kurti për “plasimin e informacioneve operacionale dhe konfidenciale”.

“Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, kryeprokurori apo cilido që e ka për bazë dhe fushë veprimtari grupet kriminale dhe krimin e organizuar është dashur që të ndërhyj dhe të marr në pyetje kryeministrin e Kosovës për plasimin e informacioneve operacionale dhe informacioneve zyrtare pra konfidenciale të cilat tani më do të pamundësojnë një punë të tërë të bërë nga ana e strukturave të sigurisë që këta persona të vihen para drejtësisë”, thotë Shala./ EkonomiaOnline