Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

35 të akuzuar për krime lufte në lagjen e Jasharëve në Prekaz

Blerim Isufaj

Foto: Driton Paçarada

(Lajm i përditësuar) – Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në lagjen e Jasharëve në Prekaz.

Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, në një konferencë për media të mbajtur të premten, ka thënë se aktakuza lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve. 

“Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë dhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz”, është shprehur Isufaj, duke thënë se tani i takon Gjykatës që ta vlerësojë aktakuzën dhe provave e paraqitura në të.

Isufaj ka thënë se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar me qëllim që pretendimet e ngritura të provohen para Gjykatës.  

Ndërsa prokurori Valdet Gashi, ka thënë se aktakuzë është ngritur pas një pune disavjeçare të Prokurorisë.

Ai e ka cilësuar rastin si shumë kompleks.

“Bazuar në provat e siguruara, kemi arritur që ta vërtetojmë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë kanë kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’, si rezultat i veprimeve të tyre në ngjarjet e datave 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 në fshatin Prekaz i Poshtëm, konkretisht në lagjen e Jasharëve”, është shprehur Gashi. 

Edhe Aktakuzë në mungesë ndaj 8 personave për krime lufte në Gjakovë Arbëri Aktakuzë në mungesë ndaj 8 personave për krime lufte në Gjakovë

Ai ka thënë se bazuar në provat materiale dhe personale kanë arritur t’i identifikojnë 35 të pandehur, të cilët ka thënë se u përkasin pozitave të larta komanduese të strukturave të njësive speciale të policisë serbe.

“Gjithashtu është arritur të vërtetohet saktë se cilat njësi të forcave serbe kanë marrë pjesë në këtë sulm, pozicioni ku kanë sulmuar ata, aktivitetet e secilit të pandehur, ar5senali i armatimit që është përdorur dhe dëmet që janë shkaktuar si në njerëz ashtu edhe në pasuri”, është shprehur Gashi.

Ai ka thënë se gjatë hetimeve është zbuluar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civil, në mesin e të cilëve duke filluar nga mosha 5-vjeçare si dhe gra dhe të moshuar.   
Gashi ka deklaruar gjithashtu se është vërtetuar se forcat serbe kishin marr peng banorët e lagje dhe i kishin malretuar në mënyra të ndryshme.