Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet parapenale lidhur me këmbimin e tokave nga Komuna e Prishtinës.
Kjo është bërë pasi që KOHA ka publikuar një seri të shkrimeve për këmbimin e pronave të Komunës së Prishtinës në lagjen Prishtina e Re me toka private në Badoc.
Nisjen e hetimeve parapenale për KOHËN e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi.
“Pasi Prokuroria e Shtetit është njoftuar nga mediumi juaj për dyshimet e ngritura në procesin e këmbimit të pronave, kemi filluar mbledhjen e informatave. Prokuroria Speciale tashmë ka filluar hetim parapenal për këtë rast”, ka theksuar Kelmendi.
KOHA ka publikuar një seri shkrimesh që tregojnë për shkëmbim të pronave të Komunës së Prishtinës te Prishtina e Re, më prona në Badoc, në të cilat nuk lejohet ndërtimi.
Njëra prej pjesëve me më së shumti potencial financiar në Prishtinë është zona Prishtina e Re, në të cilën ish-klienti i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë të paktën 7 hektarë në këmbim të tokës private në Badoc, e cila nuk mund të shfrytëzohet për ndërtim.
Në këtë pjesë të Prishtinës, e cila po zgjerohet, ish-klienti i Ramës që nga viti 2021 ka marrë rreth 7 hektarë, ndërsa në Kuvendin Komunal ka kaluar propozimi i kryetarit që atij t’i jepej edhe një tokë tjetër.