Arbëri

Prokurori për gazetën e konfiskuar në shtëpinë e Selimit: Në intervistë Lushtaku thotë se kanë vrarë kolaboracionistë

Dëshmitari Nuhi Bytyçi

Dëshmitari Nuhi Bytyçi

(E përditësuar) - Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Nuhi Bytyçi, prokurori Matt Halling ia prezantoi atij një intervistë të Sami Lushtakut në gazetën “Kombi” të 23 majit 1998 në të cilën kishte thënë se përveç oficerëve e ushtarëve të policisë serbe kanë vrarë edhe kolaboracionistë (bashkëpunëtorë të Serbisë).

“Sami Lushtaku thotë kështu: Deri më sot nuk kemi vrarë as gra as fëmijë. Kemi vrarë oficerë policie, ushtarë dhe kolaboracionistë. Duhet merrni parasysh një faktor të rëndësishëm që të gjithë kolaboracionistët që janë likuiduar kanë qenë pjesë e forcave okupatore të sistemit okupator në Kosovë dhe asnjëri prej tyre nuk ka qenë i paarmatosur”, tha prokurori, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, dëshmitari tha se nuk mban përgjegjësi për intervista të tilla, duke kërkuar që për intervista të kolegëve të tij të mos pyetet.

“Për intervistat e gazetarëve, kolegëve të tjerë mos më pyetni. Nuk mbaj përgjegjësi për ato intervista”, tha dëshmitari.

Pas kësaj, prokurori tha që ky është dokument që mund të pranohet dhe është një material që është sekuestruar nga shtëpia e Rexhep Selimit dhe është intervistë me Sami Lushtakun me një gazetar që dëshmitari e ka vërtetuar se është gazetar dhe intervistën e tij e ka parë, por në një media tjetër.

Një gjë e tillë u kundërshtua nga mbrojtja e Selimit përmes avokatit i cili tha se nuk ka tregues autenticiteti. Mirëpo, me urdhër të trupit gjykues, ky dokument u pranua.

Përpara kësaj, prokurori kërkoi që bllok-shënimesh të pranohet si provë duke treguar se është sekuestruar nga shtëpia e të akuzuarit Selimi. Po ashtu, sërish pati kundërshtim Tully i cili tha se në atë bllok shënim ka disa dorëshkrime të ndryshme dhe nuk vërtetojnë autorësi e po ashtu kundërshtojnë veprimtaritë që përshkruhen aty. Edhe Emmerson tha se një dokument i tillë duhet kundërshtuar. 


Bytyçi: UÇK-ja nuk ka pasur hierarki strikte

(E përditësuar) - Ish-gazetari i Radio Televizionit të Prishtinës (RTP) Nuhi Bytyçi ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ka pasur hierarki strikte siç e kanë ushtritë e rregullta.

Ai tha e në disa zona ka pasur vështirësi për të xhiruar edhe pse ishte nën prezencën e Hashim Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi.

“Nuk kanë pas ndonjë hierarki strikte siç kanë ushtritë e rregullta sepse unë kam pasur vështirësi në disa zona të luftës sidomos në Dukagjin. Kam shkuar bashkë me z. Thaçi i cili ka qenë përgjegjës për informim, por ushtarët që kanë qenë në komandën e z.Ramush Haradinaj nuk kanë me lejuar të bëjë filmimin bashkë me kameramanin tim Abaz Zekën. Po ashtu, edhe në Zatriç të Rahovecit kam shkuar që të xhiroj dhe komandanti lokal, Idriz Vehapi edhe pse ka qenë i pranishëm z.Hashim Thaçi nuk me ka lejuar të xhiroj. Kjo dëshmon se vërtetë nuk ka pasur ndonjë hierarki strikte në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha dëshmitari.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se ai kishte shkuar për të raportuar dhe se nuk i ka interesuar organizimi dhe strukturën e UÇK-së, por që më pas tha se e kishte vërejtur që një hierarki nuk ekzistonte aty.

“Nuk më ka interesuar as organizimi as struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam bashkëpunuar me njerëzit kompetentë që kanë qenë në atë periudhë për komunikim me gazetarët siç ka qenë z.Hashim Thaçi- përgjegjës për informim dhe zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Me këta dy persona kam bashkëpunuar në mënyrë intensive në zonat e luftës kurse në Prishtinë kam bashkëpunuar ngushtë me përfaqësuesin e përgjithshëm politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, z.Adem Demaçi”, tha dëshmitari.

Prokurori Halling u fokusua tek një takim që dëshmitari kishte pasur me Rexhep Selimin gjatë kohës së luftës në të cilin ai e kishte pasqyruar në libër që ka marrë kritika nga tashmë i akuzuari për mënyrën e raportimit gjatë asaj periudhe.

“Kam pasur me z.Rexhep Selimi dhe kishte shumë të drejtë që thoshte, jo vetëm anëtarët e UÇK-së por edhe i gjithë populli nuk ishte i kënaqur me informimin që bëhej në atë kohë në Radiotelevizionin Shqiptar por edhe në disa media të tjera shqiptare për situatën në zonën e luftës. Thuhej se mbrohej pragu i shtëpisë dhe ishte vërejtje me vend se Ushtria e Kosovës po luftonte për çlirimin e vendit dhe jo vetëm për mbrojtje të pragut të shtëpisë”, tha dëshmitari duke shtuar se ky takim ishte mbajtur me në prill ose fillim maj të 1998-ës.


Bytyçi: S’dua që Gjykata dhe ZPS-ja ta përdorin librin tim si dëshmi për t’i akuzuar luftëtarët e lirisë

(E përditësuar) - Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Nuhi Bytyçi tha se nuk dëshiron që Specialja e sidomos Zyra e Prokurorit të Specializuar ta konsiderojë librin e tij si dëshmi për t’i akuzuar ish-krerët e UÇK-së.

“Nuk dua që kjo Gjykatë e sidomos Prokuroria, këtë libër timin ta konsiderojë si një dëshmi për të akuzuar luftëtarët e lirisë”, tha dëshmitari derisa po pyetej nga prokurori Matt Halling për librin e tij “Libri i Luftës”.

Dëshmitari tha se gjatë kohës së luftës gjithmonë ka funksionuar e punuar si gazetar i pavarur dhe vullnetar dhe se këtë gjë sipas tij e kishte bërë për arsye që shumë kohë të gjatë edhe para luftës, Kosova ishte në terr informativ, raportoi “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur se si ka pasur mundësi që të mbajë shënime të gjitha ato data të cilat përmenden në libër, dëshmitari tha se e ka pasur të vështirë një gjë të tillë pasi që ka qenë gazetar vullnetar dhe jo i akredituar zyrtarisht.

“Fillimisht, të them të drejtën në ato rrethana të luftës, si gazetar vullnetar ashtu si ka qenë edhe Ushtria e Kosovës- ushtri vullnetare e mbështetur nga tërë populli shqiptar, kam pasur shumë vështirësi në punën time. Fillimisht, nuk kam pasur akreditim zyrtar nga Serbia për shkak se edhe unë personalisht nuk e kam njohur shtetin e Serbisë se ka qenë shtet okupues”, tha dëshmitari.

Bytyçi gjithashtu tha se edhe në vitin 2019 përkatësisht në vitin kur ai kishte botuar librin, kishte deklaruar se datat apo emrat mund të mos jenë të saktë aty. Kjo ngase sipas tij nuk ka mundur të mbajë ndonjë ditar të përpiktë ashtu siç mund të mbajnë gazetarët në rrethana normale.

“Kam punuar në rrethana të jashtëzakonshme nëpër punkte policore dhe nuk kam pasur mundësi në asnjë mënyrë të mbaj ditar në mënyrë të rregullt, të shënoj datat, të shënoj emrat me të cilët kam kontaktuar, me të cilët kam intervistuar. Kështu, edhe në deklaratën time më 30-31 korrik 2019 kam deklaruar se disa data dhe disa emra që janë në libër mund të mos jenë të saktë se mund të mungojë ndonjë emër, për arsyeje se nuk kam mundur të mbaj ditar të përpiktë ashtu siç mund të mbajnë gazetarët në rrethana normale”, tha dëshmitari.

Bytyçi gjithashtu shtoi se nuk ka ndodhur asnjëherë të punojë me direktiva të dikujt tjetër.
“Nuk ka ndodhur që të punoj sipas diktatit të dikujt. Edhe në kohën kur kam punuar si gazetar në Radiotelevizionin e Prishtinës kam qenë kundër cezurës dhe në asnjë mënyrë nuk kam lejuar as pas luftës as gjatë luftës që dikush të diktojë në punën time”, tha ai.

Ish-gazetari i RTP-së tha se librin e tij para botimit nuk e ka pasur askush tjetër përveç profesionistëve, të cilët janë angazhuar në redaktimin e tij.

“Para botimit, librin tim e kanë parë vetëm redaktorët dhe recensenti i librit. Kuptohet edhe lektorja e librit, kurse as nga Shtabi i Përgjithshëm dhe asnjë qytetar tjetër i Republikës së Kosovës të përgatitur për botim nuk e kanë pas”, tha ai.

Ndërsa, pas botimit, ai tha se një kopje të libri ia ka dhënë ish-Presidentit Thaçi dhe Fatmir Limajt.

“Pas botimit, Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ia kam dhuruar librin, tjerëve s’e di. Zotëri Krasniqit nuk e di a ia kam dhënë a jo, e di që zotëri Selimit dhe zotëri Veselit nuk ia kam dhuruar. Po edhe Fatmir Limajt e pati kërkuar, ia kam dhuruar në zyrën e tij sa ka qenë zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës”, tha dëshmitari, duke shtuar se nuk ka marrë komente nga ata.

Ndërsa, Halling i tha dëshmitarit se më herët në dëshminë e tij kishte thënë që asnjë kopje të librit nuk ia kishte dhënë asnjërit prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe se tashmë një gjë të tillë po e dëshmon ndryshe.

Megjithatë, dëshmitari tha se asnjë kopje të librit nuk e ka dorëzuar para botimit.

Ndryshe, gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari tha ase lufta e UÇK-së ka qenë luftë për liri.

“Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, ishte luftë kundër pushtimit serb, ishte luftë kundër dhunës dhe terrorit në mbarë Kosovën dhe që mjetet paqësore ishin shterur dhe kjo ishte luftë e imponuar të cilës iu bashkëngjiten të gjithë shqiptarët nga Kosova dhe vendet e tjera. Ishte një luftë vullnetare se Kosova nuk ishte shtet dhe nuk e kishte ushtrinë e rregullt siç i kanë shtetet e tjera në rrethana normale”, tha Bytyçi. /BetimipërDrejtësi


Nuhi Bytyçi fillon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

(E përditësuar) - Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 70-të në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 71-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Nuhi Bytyçi në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori Matt Halling, i cili në përmbledhjen e lexuar tha se dëshmitari ka qenë gazetar i cili ka mbuluar UÇK-në gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari 04411 ka qenë gazetar i cili ka mbuluar UÇK-në gjatë luftës. Ai ka bërë fotografi të elementeve ose momenteve të rëndësishme përfshirë edhe rolin në të cilin janë përfshirë të akuzuarit. Dëshmitari ka shkruar një libër rreth përvojës së tij të botuar në vitin 2019 që quhet ‘Libri i Luftës’”, lexoi Hallingu.

Dëshmitari Bytyçi pohoi se është autori i një libri të titulluar “Libri i Luftës”, në të cilin pasqyrohen përjetimet e tij gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë, përkatësisht 11 orë.

Ai tha se ZPS-ja ka paraparë 3 deri në 4 orë për pyetje, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve rreth 7 orë e gjysmë për kundërpyetje.

Deklaratat e dëshmitarit që rrjedhin nga seanca përgatitore me ZPS-në, u pranuan si prova materiale.

Ndërsa, nëse libri i tij ai të pranohet tërësisht a po disa pjesë të tij mbeti që vendimi të merret pas pushimit me kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve pasi thanë që nuk e kundërshtojnë, por iu duhet konsultim mes vete për shkak të disa paqartësive.

Pas pushimit, me vendim të trupit gjykues, u pranuan të gjitha faqet e përkthyera të këtij libri.


Në sesion privat, vazhdon dëshminë dëshmitari i 70-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon edhe të martën dëshminë dëshmitari i 70-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin W03170 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në këtë seancë, në sesion privat pyetjet për këtë dëshmitar i filloi trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Guénaël Mettraux.

Ndryshe, dëshmia e këtij dëshmitari filloi të hënën (3 qershor), e cila u dëgjua tërësisht në sesion privat. Ndërsa, sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori James Pace, dëshmitari ishte anëtar i LDK-së, i cili ishte ndaluar së bashku me një person tjetër dhe janë rrahur.

“Dëshmitari 03170 ishte një anëtar i LDK-së që është arrestuar së bashku me një person tjetër. Gjatë transferimit në një prej vendeve ku këta persona janë ndaluar, dëshmitari 03170, duart e tij dhe duart e një personi tjetër u lidhën dhe ata janë kërcënuar dhe janë rrahur”, tha Pace.

Në fillim të seancës së sotme, kryetari i trupit gjykues dha disa urdhra në sesion privat, ndërsa në atë publik urdhëroi riklasifikimin e një prove materiale nga konfidenciale në publike. 

Megjithatë, për procesverbal ai njoftoi se të gjithë të akuzuarit ishin prezent në sallën e gjyqit, përveç Jakup Krasniqit, i cili po e ndjek tash e disa kohë seancën përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi