Arbëri

Prokurori-Lekajt: Pse u desh angazhimi i kompanisë mbikëqyrëse nëse nuk i përfillet opinioni?

Në seancën gjyqësore të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se nuk e ka parë opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” për projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”, të përpiluar në dhjetor të vitit 2017

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka insistuar se nuk e ka parë opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, lidhur me projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Në seancën gjyqësore të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është ballafaquar me dëshminë e tij fillestare si dhe me pyetjet e prokurorit special, Atdhe Demaj, si i akuzuar për korrupsion në rastin e njohur si “53-milionëshi”.

Lekaj akuzohet se komitetit ndërministror nuk ia ka prezantuar opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, sipas të cilit dëmshpërblimi për “Bechtel&Enkan” duhej të ishte 14 milionë euro, e jo 53 milionë euro sa janë paguar nga buxheti.

Lekaj është shprehur se nuk e ka parë opinionin e përpiluar në dhjetor të vitit 2017.

“Opinioni i ‘Hill International’, i cili në mënyrë të qartë jep shpjegimin për ju si KDMN, që nuk guxoni me lëvizë jashtë atyre termave dhe pse nuk guxoni me lëvizë, a ju kujtohet dokumenti, a e keni lexuar?”, e pyeti prokurori Demaj deputetin e AAK-së.

“Sa i përket opinionit të ‘Hill Internacional’ mund të them që përpos një opinioni që kanë dhënë zyrtarë në vitin 2015 dhe që nuk ka qenë i obligueshëm për Qeverinë. Prapë po e them, sepse ai ka qenë i punësuar në Ministrinë e Infrastrukturës me një kontratë që të mbikëqyrë projektin dhe jo të jep opinione sa i përket marrëveshjeve dhe aneks kontratës sepse ka dalë jashtë kompetencave që ka pasur”, është përgjigjur Lekaj.

Përfaqësuesi i kompanisë “Hill”, në dëshminë e tij dhënë para gjykatës në fillim të dhjetorit, ka thënë se opinionin e ka përcjellë gjashtë muaj para se Qeveria të merrte vendimin për dëmshpërblim.

E pasi i akuzuari Lekaj ka thënë se nuk ishte i obliguar, që ta merrte për bazë opinionin e kompanisë “Hill”, prokurori Dema e ka pyetur për arsyet e angazhimit të saj.

“Për çka e keni punësu Hill International si Qeveri e Republikës së Kosovës? Pse nëse nuk paska qenë obligative kurrgjë. Pse cili ke interesi i Qeverisë së Kosovës edhe cila ishte shuma që e paguajtët ju kontraktuale si Qeveri jo si Pal Lekaj?”, ka pyetur ai. “Nuk e kam nënshkruar atë kontratë, por edhe sikur ta kisha nënshkruar unë apo Qeveria e Kosovës ajo dihet se është transparente ka qenë 7 milionë euro kontrata. Por,... kontratën në përgjithësi nuk e kam lexuar”, i është përgjigjur Lekaj.

Prokuroria e akuzon Lekajn dhe tre zyrtarë të tjerë se e kanë dëmtuar buxhetin për 38 milionë euro.