Arbëri

Projektligje, tryeza e vizita janë planifikuar nga Kuvendi për vitin 2019

Foto: Alban Bujari

Çfarë po shtojmë e çfarë po ndërrojmë në plan të punës? Qysh po ia bëjmë me këtë pikë? Kur po e lëmë e realizojmë këtë vizitën e kur po e mbajmë këtë tryezë? Këto janë disa nga pyetjet, të cilat i kanë shoqëruar mbledhjet e komisioneve parlamentare të hënën, teksa po shqyrtohej plani i punës për vitin 2019 për secilin komision veç e veç.

Së paku një pyetje, një përgjigje e një sugjerim secili deputet e ka bërë gjatë mbledhjeve. Disa prej komisioneve kanë arritur që të miratojnë planin e punës, e disa e kanë lënë për mbledhjen e radhës, shkruan sot Koha Ditore.

Kështu, gjatë këtij viti komisionet pritet që të trajtojnë një mori projektligjesh, të iniciojnë seanca plenare për çështje të caktuara, të organizojnë dëgjime publike, tryeza, si dhe të realizojnë vizita, qoftë brenda Kosovës e qoftë jashtë saj.

Një tryezë për masakrën e Dubravës, që ka ndodhur në vitin 1999, ku patën mbetur të vrarë 155 shqiptarë, ka planifikuar që ta realizojë në muajin prill Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Tryeza pritet të organizohet në shenjë të 20-vjetorit të kësaj masakre. Ajo do t`i paraprijë edhe debatit, që do të mbahet në një seancë plenare të Kuvendit. Po ashtu, po planifikohet që të ndërtohet një monument me emrat e të masakruarve, në vendin ku ka ndodhur krimi. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)