Studentët në komunën e Gjilanit kanë prezantuar projektin “S'DUhani” i cili projekt është një fushatë vetëdijësuese për të rinjtë për dëmet të cilat i shkakton duhanpirja.
Studentët do të takohen me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Në këtë fushatë do të marrin pjesë edhe psikolog, jurist dhe pedagog. Projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës. Dhe rikonfiormim për mbështetjen e projektit e ka dhënë Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi e cila ka qëndruar sot në Gjilan ku edhe është takuar me studentët. Për projektin ka folur Elitë Bardhi nga Organizata Rinia Studentore “Kadri Zeka”.
Ajo është shprehur se zhvillimi i fushatës do t’u ndihmojë atyre që të kenë një pasqyrë më të qartë sa i përket aspektit të duhanpirjes tek të rinjtë. Sipas saj fushata ka edhe karakterin e hulumtimit. Bardhi ka deklaruar se institucionet nuk janë duke i kushtuar vëmendje duhanpirjes tek moshat e reja.
“Ky projekt përfshin moshën 15 vjet deri në moshën 21 vjeçare dhe do të punojmë më shumë me nxënësit e shkollave fillore nga klasa 8 dhe 9 dhe me nxënësit e shkollave të mesme. Do të përfshijnë aktivitete të cilat më pas do të bashkëngjiten edhe me një hulumtim që na tregon gjendjen reale në komunën e Gjilanit ku ne së bashku me pedagogun, psikologun dhe juristin do të trajtojmë këtë çështje prekopuese në shoqërinë tonë” ka thënë ajo
Ndërkaq Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi ka deklaruar se ata po mbështesin të rinjtë në projektet e ndryshme. Ajo ka deklaruar se janë duke punuar edhe në projektligjin për të rinjtë.
“Sot është prezantimi i projektit përfitues që është dorëzuar në Ministri një projekt për të rinjtë për moshat e reja. Këto janë projekte të cilat janë domethënëse Minsitria objektiv e ka rininë dhe jemi duke punuar në projektligjin për të rinjtë ku jemi në përfundim e sipër. Jemi duke prekur tek mosha e cila ka qenë e caktuar tash do të rrisim moshën prej moshës 15 vjeçare deri në moshën 29 vjeçare. Gjithashtu jemi në komponenten e vullnetarizmit duke e forcuar që puna jote vullnetare të njihet si përvojë e punës në konkurrimet e juaja” ka thënë ajo.
Ndërkaq kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka përgëzuar studentet për iniciativën e tyre për implementimin e një projekti i cili është i rëndësishëm.