Arbëri

Projekti për sallën e shkollës përplas Pejën me Ministrinë e Kulturës

Foto: Koha

Gjimnazi “Berdi Pejani” në Pejë, që nga vjeshta e vitit 2013 është në pritje të përfundimit të objektit të sallës së edukatës fizike, në të cilën një gjeneratë e nxënësve nuk ka mbajtur asnjë orë të vetmes mësimore të edukatës fizike, shkruan sot “Koha Ditore”.

Drejtori i gjimnazit, Musa Nikçi, ka thënë se objekti ka nisur të ndërtohet në fund të vitit 2012 dhe ka mbetur në fazën e punimeve që nga vjeshta e vitit 2013.

“Prej asaj kohe më nuk është punuar asgjë në të. Kanë mbetur pa u vendos nyjat sanitare, ngrohja qendrore e sallës dhe shtrimi i parketit. Kanë mbetur pa u kryer punime në vlerë mbi 100 mijë euro, se aq kushtojnë tualetet, ngrohja dhe parketi”, ka thënë Nikçi.

Sipas tij, që atëherë shkolla është në pritje që të kryhen këto punime të mbetura dhe salla të bëhet funksionale për orët e edukatës fizike.

Operatori “Enex-Trade”, i kontraktuar në vitin 2012 nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, e cila e ka bërë edhe tenderimin e këtij projekti, pranon se punimet janë zvarritur, por fajin për këtë e hedh diku tjetër. Ministria akuzon për këtë tender kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)