Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka paraparë mbi 200 milionë euro për investime kapitale për vitin e ardhshëm, por vetëm 13 milionë janë për projekte të reja. Këto projekte bazuar në projektbuxhetin për 2024-n parashihet të shkojnë kryesisht në komunat e qeverisura nga Vetëvendosje, ndërsa projektet e tjera janë bartje nga vitet paraprake
Vetëm 13 milionë nga mbi 200 milionë euro të buxhetit të Ministrisë së Mjedisit dhe Infrastrukturës për vitin 2024 do të orientohen në projekte të reja. Mbështetur në projektbuxhetin për 2024, i cili ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, projektet e reja janë kryesisht në komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje.
Nga 35 projekte të reja që janë edhe bashkëfinancim me komunat, pesë nga to shkojnë në Komunën e Kamenicës, pesë në Shtime dhe pesë të tjera në Podujevë. Ndërsa tri projekte të reja janë paraparë për Gjilan.
Nga projektet e reja pritet të përfitojë edhe Peja me gjithsej katër. Ndërsa pjesa tjetër e projekteve është vazhdim nga ky vit dhe vitet paraprake.
Bazuar në raportin nëntëmujor të buxhetit për vitin 2023, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, realizimi i investimeve kapitale për këtë periudhë ishte vetëm 31 për qind apo mbi 68 milionë euro nga 215 sa kanë qenë të parapara për këtë kategori.
Projektbuxheti 2024 është kritikuar të hënën nga Grupi parlamentar i AAK-së. Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë se ai nuk premton zhvillim ekonomik, por varfëri e stagnim.
“Asnjë nga projektet e mëdha infrastrukturore nuk është realizuar as këtë vit, por janë bartur për vitin e ardhshëm me shuma të pamjaftueshme për të përfunduar edhe në vitin e ardhshëm. Për Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk është paraparë asnjë cent shtesë, s’ka rritje të buxhetit, përveç 52 milionë euro që barten nga ky vit. Investime të reja kapitale, Ministrinë e Mbrojtës në vitin 2024 nuk do të ketë… Ndarja e buxhetit në nivelin lokal, nuk është rritje, është mashtrim”, ka thënë Haradinaj.
Një ditë më parë, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë për KOHËN se buxheti për 2024 nuk ndryshon aq nga ai i kaluari.
“Shqetësuese mbetet struktura e buxhetit, rreth 1/3 shkon në subvencione dhe transfere, ndërsa në tre vjet mandat të kësaj qeverie investimet kapitale kanë ngelë të ulëta. Në vitin 2022 struktura buxhetore ishte 17% me 42% në favor të subvencioneve. Për me tepër këto mjete buxhetore nuk po e zbusin nivelin e varfërisë, sepse Qeveria po dështon në targetim të grupeve të cilat sot janë në gjendjen me të rëndë ekonomike e sociale, kjo konfirmohet edhe sipas Pulsit Publik për Inflacionin, të UNDP-së ku thuhet se rreth 26 mijë njerëz i janë shtu listës së varfërisë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, plani buxhetor për vitin 2024 nuk ka projekte transformuese dhe nuk pritet që të japë rezultate të ndryshme nga buxhetet e viteve paraprake.
Për vitin e ardhshëm janë paraparë 859 milionë euro për shpenzime kapitale, ndërsa shumica e këtyre investimeve janë të bartura nga vitet paraprake.
Projektet e reja infrastrukturore janë kryesisht asfaltim dhe rehabilitim të rrugëve dhe disa urave.
Ndërkohë një ndër projektet më të mëdha në këtë sektor është sinjalizimi i autostradave R6 dhe R7, ndërtimi i qarkores së Gjilanit në vlerë 800 mijë euro, rregullimi dhe rehabilitimi i pellgut Drini i Bardhë në vlerë 950 mijë euro si dhe ndërtimi i shtratit të lumit Llap në vlerë një milionë euro.
Sa u përket investimeve të përgjithshme kapitale nëpër dikastere të tjera, vitin e ardhshëm pritet të bëhet ndërtimi dhe renovimi i kampit “Belvedere” në Mitrovicë, apo siç njihet zyrtarisht Qendra e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës “Enver Zymberi”. Për të janë paraparë 1 milion euro për vitin 2024. Punimet në të pritet të fillojnë në janar të vitit 2024, ndërsa kostoja e përgjithshme e projektit është 4 milionë euro.
Po ashtu, është paraparë edhe ndërtimi i çerdheve modulare në 7 rajonet e Kosovës, Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Prizren dhe Gjakovë. Për to janë paraparë 3.2 milionë euro, ndërsa në total pritet të kushtojë 10 milionë e 745 mijë euro.
Një projekt kapital është paraparë edhe për Qendrën e Paraburgimit të Gjilanit, sipas marrëveshjes me Danimarkën, për dhënien në shfrytëzim të qelive. Për vitin e ardhshëm për të parashihen 1 milion e 400 mijë euro, ndërsa totali i projektit do të kushtojë 2.4 milionë.