Punë të paparashikueshme për ndërtimin dhe funksionalizimin e objekteve të çerdheve u vlerësuan nga Ministria e Arsimit përfshirja e guacave të tualeteve, mbushja e kanaleve mes pllakave e vendosja e tjegullave në kulm. Këto punë të paparapara me kohë ia nxorën Ministrisë 11 tenderë shtesë në vlerë prej gjysmë milioni euro
Guacat e tualeteve për fëmijë, Ministria e Arsimit nuk i ka paraparë në tenderin fillestar për ndërtimin e çerdhes në Gjilan.
Ky keqplanifikim nxori një tender shtesë për Ministrinë. Në përshkrimin e paramasave të tenderit, guacat e tualeteve u kualifikuan elemente të paparashikueshme për funksionalizimin e një godine.
Punë të paparashikueshme i dolën Ministrisë edhe për dhjetë çerdhe të tjera, për të cilat po ashtu hapi tenderë shtesë. Nevoja për mbushje të kanaleve mes pllakave u vërejt pas nënshkrimit të kontratës fillestare për ndërtimin e çerdhes në Godanc të Shtimes.
Në projektin për adaptimin e një objekti në çerdhe në Korishë të Prizrenit, u vlerësua i paparashikueshëm ndërrimi i tjegullave të kulmit që ishin të vendosura para më shumë se 20 vjetësh.
E në projektin bazë për rinovimin e çerdhes në fshatin Shishmon të Gjakovës nuk u planifikua nevoja e izolimit të strehës.
Sipas profesorit në Fakultetin e Ndërtimtarisë, Naser Kabashi, këto funksione duhet të parashikohen në fillim të projektit.
“Punët e paparashikueshme janë ato, të cilat nuk janë të përfshira në paramasë, në parallogari e kështu me radhë, dhe kërkesa për ato punë kërkon një analizë të çmimeve, që është një problem. Punët e paparashikueshme mund të jenë ndonjë pozicion i veçantë, jo punë të paparashikueshme, diçka që është bazike, për shembull nuk mund të jenë punë të paparashikueshme themelet e një objekti, pasi objekti nuk mund të ndërtohet pa themele”, ka thënë Kabashi.
Në Ministri të Arsimit pranojnë se ka pasur mangësi në projektime.
“Ndërtimi i çerdhes në Gjilan, kontraktuar në vitin 2022, projekti nuk është bërë për lokacionin përkatës (është projekt tipik) që MASHTI e ka shfrytëzuar po të njëjtin projekt në komuna te ndryshme. Gjatë përshkrimit teknik dhe projektimit ka pasur mangësi në disa pozicione ku nuk kanë qenë të parapara fare në kontratë dhe disa prej tyre kanë pasur sasi të pamjaftueshme për përmbyllje të projektit për funksionalizimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Gjysmë milioni euro është kostoja e 11 kontratave që ka nënshkruar Ministria me operatorët ekonomikë për t’i rregulluar mangësitë në projektim. Të gjitha janë kontrata njëburimore.
Ligji i Prokurimit Publik lejon këtë me kusht që të mos kalohet 10- përqindëshi i vlerës së kontratës së parë. Por sipas Valmir Ilazit, njohës i prokurimit publik, kjo liri ligjore është duke u keqpërdorur nga ata që janë të përfshirë në tenderë.
“Kjo çështja e kontratave shtesë ose aneks-kontratave siç njihen ndryshe është duke u keqpërdorur jashtë mase, madje në disa raste mund të themi se janë fiktive, nuk mund të identifikohen çfarë punë shtesë janë aty. Ka raste kur operatorët ekonomikë, së bashku me menaxherët e kontratave bashkëpunojnë dhe e marrin punën shtesë”, ka thënë Ilazi.
160 çerdhe të reja i ka premtuar Qeveria Kurti para katër vjetësh. Por kur kanë mbetur tre muaj nga përfundimi i mandatit, nuk është përmbushur as 20 për qind e premtimit.