15 muaj pas intervistimit në Hagë me ftesë të Dhomave të Specializuara, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, këtë të mërkurë i është konfirmuar aktakuza.
Më 24 korrik të vitit të kaluar, Krasniqi ishte ndër të parët prej figurave të UÇK-së që u paraqit para hetuesve të Speciales në ambientet e kësaj Gjykate me bazë në Holandë.
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, vazhdimisht ka kundërshtuar themelimin e Speciales, derisa kështu kishte vepruar edhe kur pranoi ftesën për intervistim.
“Përkundër bindjeve të mia sa i përket kësaj gjykate politike, të krijuar me presion politik nga njerëzit që bartin funksione të larta shtetërore në Kosovë dhe themelimin e saj me votën e atyre deputetëve që ishin numra në Kuvendin e Kosovës, unë do të prezantohem në hetuesinë e Gjykatës Speciale”, kishte thënë Krasniqi më 24 korrik të vitit 2019.
Krasniqi, të mërkurën u dërgua sërish në Hagë pas bastitjes disaorëshe në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe atë në fshatin e tij Negroc nga shumë pjesëtarë të misionit të EULEX-it.
Derisa në Hagë pritet të nisë procesi gjyqësor kundër Krasniqit, akoma nuk janë bërë publike veprat për të cilat ai ngarkohet.
Krasniqi e ka nisur herët veprimtarinë ilegale për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
Gjatë kohës sa ishte mësues, Krasniqi është marrë edhe me aktivitete politike, për të cilat ishte arrestuar në vitin 1981 nga pushteti i atëhershëm serb, për dhjetë vjet, deri më 1991.
Pasi kishte qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ai më pas ishte emëruar zëdhënës i UÇK-së gjatë viteve 1998-1999.
Si anëtar i këtij shtabi, Krasniqi ishte pjesë bërë pjesë e Delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë në Francë.
Më përfundimin e luftës, Krasniqi së bashku me bashkëluftëtarë të tij, themeluan Partinë Demokratike të Kosovës.
Në zgjedhjet e para parlamentare të pasluftës në vitin 2001, Krasniqi ishte zgjedhur deputet.
Zgjedhjet e mbajtura në nëntor të vitit 2007 e sollën PDK-në në pushtet, ku një vit më vonë Krasniqi ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Në mandatin e dytë në krye të Kuvendit, Krasniqi ishte zgjedhur në vitin 2010.
Në vitin 2014, pas disa përplasjeve me bashkë-partiakët, Krasniqi i ndau rrugët me PDK-në, duke formuar Nismën për Kosovën, bashkë me Fatmir Limajn dhe disa aktivistë të kësaj partie. Krasniqi u zgjodh kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, e cila më vonë ndërroi emrin në Nisma Socialdemokrate e Kosovës.
Lexo edhe profilet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.