Profesori Lulzim Paci që u bullizua për shkak të publikimit në “TikTok” të videove në të cilat shihej duke vallëzuar valle kombëtare, ka kërkuar nga pjesëmarrësit e protestave të paralajmëruara për të shtunën në përkrahje të tij, që të mos linçojnë deputeten e Vetëvendosjes, Fjolla Ujkani.
Ujkani kishte kërkuar nga autoritetet e Vushtrrisë që të marrin masa ndaj profesorit që vallëzonte duke i konsideruar sjelljet e tij si “të pahijshme dhe degjeneruese”. Pas bullizimit, Paci shpërtheu në lot në emisionin “SOT” ditë më parë në KTV duke thënë se marrë kritika dhe ofendime të shumta në mediat online, derisa vëllait të tij, i ka thënë se nëse ndihet i turpëruar, të mos tregojë se e ka vëlla. Në përkrahje të tij u nis një fushatë e vallëzimit në mediat online, ndërsa u paralajmëruan protesta në Prishtinë e Vushtrri për të shtunën për sensibilizim.
Pasi deputetja Ujkani i kërkoi falje, Paci në një lidhje direkte në “SOT” të mërkurën u shpreh se do t’i bojkotojë protestat po që se sheh linçim të deputetes.
“Organizatorëve ju lus nëse është fushatë sensibilizuese do të vij në të dyja protestat, por nëse përmendet emri apo linçohet emri i deputetëve, unë nuk vij. Paskam gabuar unë apo ajo, t’i lëmë ato tashmë. Nëse përmendet emri i saj apo ka pankartë, unë tërhiqem”, ka thënë ai.
Paci ka thënë se tashmë gjendja e tij dhe e rrethit është qetësuar.
Ndërkaq, zotime për moslinçim të deputetes ka dhënë Rron Haxhiislami, instruktor i vallëzimit, ndër organizatorët e protestës. Ai ka thënë se ideja është të sensibilizohet shoqëria e të luftohen paragjykimet ndaj atyre që e duan vallëzimin.