14 studentë përfitues të bursave përmes Skemës së Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme) janë në pritje për t’u punësuar në institucionet e Kosovës.
Nga 50 studentë që kanë përfunduar studimet vitin e kaluar, një e treta e tyre vazhdojnë të jenë të papunë, ani pse Qeveria e Kosovës ka obligim punësimin e tyre, raporton KTV.
Zotimin për punësimin e menjëhershëm të bursistëve të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian e ka dhënë zëvendësministri i Integrimit Evropian, Taulant Kryeziu.
Këtë zotim të Qeverisë e mirëpret Moris Hyseni nga Skema e Profesionistëve të Rinj, por thotë se nuk do të jenë të kënaqur pa u realizuar ky premtim.
Instituti EPIK ka ftuar institucionet shtetërore për punësimin sa më të shpejtë të bursistëve, pasi rrezikohet financimi i këtij programi nga BE-ja.
Demush Shasha, nga ky institut, kërkon nga Qeveria e Kosovës që në një nga mbledhjet e ardhshme ta diskutojë punësimin e plotë të bursistëve.