Mungesa e mjaftueshme e bimëve në tokë dhe shkatërrimi i tyre po ndikon në prodhimin e ulët të mjaltit. Bletarët dhe biologët kërkojnë që të mos bëhet shkatërrimi i tyre. Teksa problem tjetër për bletarët është edhe mossubvencionimi nga institucionet përkatëse
Bletarja Xhemile Krasniqi nga komuna e Obiliqit tash e 8 vjet e bën kultivimin e bletëve. Por ajo thotë se viteve të fundit kjo veprimtari është vështir e realizueshme, si shkak i mungesës së bimëve në tokë.
“Te ne është një problem që ka nevojë të rritet numri i drurëve në të mirën e bletës. Shpeshherë ndikojnë edhe kushtet klimatike, por që në një mënyrë se çfarë bime të mbillen me hektarë nëpër komuna, atëherë do të ndikojë në të mirën e bletës, është një apel i ngritur nga bletarët që të subvencionojnë më shumë, t’i kushtojnë”, ka thënë Krasniqi.
Se ka mungesë të bimëve në tokë, tregojnë edhe biologët. Profesoresha Ferdije Zhushi - Etemi, thotë se spërkatja me pesticide e humb cilësinë e bimëve dhe ndikon në prodhimin e ulët të mjaltit.
“Bimët janë jashtëzakonisht të dobishme, njerëzit i shfrytëzojnë dhe mblidhet aq shumë sa që ato nuk mbesin për insekte dhe duhet të kemi parasysh se kur të mblidhet, mos të mblidhet me intensitet aq të madh, por të lihet edhe për insekte, gjithashtu edhe çështja tjetër është përdorimi i pesticideve, ka ndikuar që një mori e bimëve dhe toka ta humbë cilësinë e vet dhe të mos ketë vegjetacion sikur ka pasur më herët”, ka thënë Zhushi - Etemi.
Përveç prodhimit të ulët të mjaltit, Xhemile Krasniqi ankohet që nuk kanë marrë përkrahjen e duhur nga Ministria e Bujqësisë dhe drejtoritë në komuna.
“Mossubvencionimi i Ministrisë së Bujqësisë ndikon shumë në bizneset tona që i kemi respektivisht për bletarinë. Është problem me ia dalë pa subvencionimin e komunës apo Ministrisë sepse është kosto e madhe që ndikon te bletët si në trajtimin e sëmundjeve, në ushqime, në koshere..., ka mjaft telashe”, ka thënë Krasniqi.
Zyrtarë nga Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë i thanë KOHËS se edhe këtë vit në Programin e Pagesave Direkte, për sektorët e ndryshëm në bujqësi do të bëhet mbështetja e bletarëve me subvencione.
“Subvencionimi i bletarëve do të bëhet për shoqëri bletësh (koshere), në vlerë prej 20 euro shoqëri bletësh (koshere). Përfitues do të jenë fermerët të cilët mbarështojnë së paku 30 shoqëri bletësh (koshere). Ndërsa fermerët e certifikuar për prodhimtari organike subvencionohen në vlerë prej 25 euro shoqëri bletësh (koshere)”.
Sipas të dhënave të kësaj agjencie, këtë vit kanë aplikuar 3,210 aplikues për bletë me gjithsej 215,605 koshere.