Ka mbetur vetëm një vendvotim pa u procesuar prej 2533 sosh në listën e rezultateve për kandidatët për deputetë dhe subjektet politike nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Vendvotimi i vetëm nga i cili nuk janë përditësuar të dhënat është në komunën e Mitrovicës, ku deri tash janë procesuar 104 prej 105 vendvotimeve.
Nga procesimi i 99.96 për qind e vendvotimeve nga numërimi në qendra komunale, sipas uebfaqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje i ka marrë 40.90 për qind të votave. Partia Demokratike e Kosovës është e dyta me 22.03 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 17.64 për qind. Koalicioni AAK-Nisma është subjekti i katërt që ka siguruar kalimin e pragut me 7.46 për qind.
Sa u përket ulëseve në Kuvend, përqindja aktuale ia mundëson VV-së 47 ulëse, PDK-së 25, LDK-së 20 dhe koalicionit AAK-Nisma 8.

Kandidati më i votuar është Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat për kryeministër nga kjo parti. Ai deri tash ka marrë mbi 290 mijë vota. Pas tij, i dyti është Glauk Konjufca, si numri dy i VV-së me 223 mijë vota.
Bedri Hamza, kandidati i PDK-së për kryeministër, është personi i tretë më i votuar deri tash me mbi 164 mijë vota. Lumir Abdixhiku i LDK-së është i katërti me 126 mijë vota.
Më shumë se nga 100 mijë vota kanë edhe Faton Peci, Hekuran Murati e Albulena Haxhiu të VV-së.
Pa u numëruar janë edhe rreth 90 mijë vota të tjera që përbëhen nga vota të diasporës, ato me kusht dhe nga personat me aftësi të kufizuara.