Në gjitha 29 shkollat fillore dhe gjashtë të mesmet në komunën e Pejës ka nisur të hënën procesi mësimor në vitin e ri shkollor. Drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj, deklaroi për KOHËN se mësimi ka nisur të mbahen me prezencë fizike në gjitha shkollat e kësaj komune.
“Në gjitha shkollat e fshatrave mësimi ka nisur të mbahet me prezencë në klasë dhe të pa ndarë në grupe pasi numri i nxënësve në një paralele është ndër 20 nxënës. Edhe në shkollat e qytetit gjithashtu, përveç disa shkollave që kanë numër më të madh të nxënësve si gjimnazi dhe disa tjera, por shumë pak ka shkolla në të cilat paralelet janë ndarë në grupe që kanë mbi 20 nxënës”, ka thënë Avdimetaj.
Mësimi i ndarë në grupe ka nisur të mbahet në shkollën fillore “Xhemajl Kada” në qytetin e Pejës, e cila me mbi 1 mijë e 400 nxënës, ka numrin më të madh të nxënësve nga gjitha shkollat fillore në Pejë dhe ka pak klasa në të që kanë më ka së 20 nxënës.
“Kemi filluar mësimin me skenarin me katër ndërrime. Kemi startuar orën e mësimit me 30 minuta dhe secili grup i ka nga katër orë mësim. Kemi disa paralele që kanë ndër 20 nxënës dhe nuk ka pas nevojë me i nda në grupe, por shumica e paraleleve janë ndarë në dy grupe pasi kanë mbi 20 nxënës dhe jemi duke punuar me një orar lëvizës”, u shpreh Sylë Peli, drejtori i shkollës fillore “Xhemajl Kada”.
Sipas tij, rreth 95 për qind e mësimdhënësve janë të vaksinuar me një dhe dy doza. Të tjerët siç shtoi ai ende nuk janë vaksinuar për arsye shëndetësore. Ndërsa përfshirë gjitha shkollat e Pejës, sipas drejtorit të Arsimit, Besim Avdimetaj, mbi 90 për qind e mësimdhënësve dhe stafit teknik janë të vaksinuar.
Aktualisht, siç ka thënë Avdimetaj, nuk ka informacione nëse ndonjëri mësimdhënës apo nxënës ka munguar ditën e parë në shkollë shkaku i sëmundjes me COVID-19, por ndërkohë shtoi se do t’i mbledhë këto informata nga drejtorët e secilës shkollë. Avdtimetaj tregoi se vitin e kaluar tre mësimdhënës në Pejë kanë humbur betejën me COVID-19, derisa sivjet asnjë.
Në gjitha shkollat e komunës së Pejës janë mbi 18 mijë nxënës.