Arbëri

Procedurës paraprake në rastin “Thaçi dhe të tjerët” i afrohet fundi

Gjyqtari Nicolas Guillou ka deklaruar se seanca e së premtes do të duhej të ishte e fundit në procedurë paraprake për rastin “Thaçi dhe të tjerët”. Pas kësaj, siç ka thënë ai, rasti kalon në shqyrtim te trupi gjykues. Në konferencën për ecurinë e çështjes për rastin ku Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin për krime lufte e krime kundër njerëzimit, gjyqtari Guillou ka marrë një sërë vendimesh që shkojnë drejt dorëzimit të materialeve të prokurorisë te mbrojtja e të akuzuarve, por edhe riklasifikimin e dokumenteve të rastit si publike. Siç kanë paralajmëruar Dhomat e Specializuara, gjykimi i rregullt ndaj drejtuesve të UÇK-së pritet të nisë në tremujorin e parë të 2023-tës

Sinjale për përfundimin e seancave të gjykimit paraprak në rastin “Thaçi dhe të tjerët” ka dhënë gjyqtari i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara në Hagë, Nicolas Guillou. Në fund të konferencës për ecurinë e çështjes, Guillou ka thënë se seanca mund të jetë e fundit.

“Këtu përfundon seanca e sotme. Mendoj që është edhe e fundit përpara kalimit të çështjes te trupi gjykues. Falënderoj, si zakonisht, të gjithë pjesëmarrësit, përkthyesit personelin audiovizual, stenografët dhe sigurimin. Këtu përfundon seanca, të gjithë më këmbë”, ka thënë Guillou, të premten, para se të nxitonte drejt daljes nga salla e gjykimit.

Gjatë kësaj seance gjykata mori gjashtë vendime që përfshijnë kalimin e dokumenteve nga prokuroria te mbrojtja e të akuzuarve, ashtu edhe kalimit të tyre nga statusi i dokumenteve të klasifikuara te dokumentet publike. Urdhri i parë e i dytë që e dha gjyqtari ka të bëjë me rregullin 102 (3), sipas së cilit Prokurori i Specializuar ja jep mbrojtjes “çfarëdo deklarate, dokumenti, fotografie dhe lejon këqyrjen e çdo sendi tjetër të prekshëm nën ruajtjen ose kontrollin e Prokurorit të Specializuar, që Mbrojtja i konsideron juridikisht thelbësore për përgatitjen e vet, ose që i janë marrë, apo i përkisnin të akuzuarit”.
“Lidhur me materialet që ka kërkuar mbrojtja pas 20 majit 2022 urdhëroj ZPS-në të përfundojë përpunimin e këtyre kërkesave, përkatësisht të kërkojë masa mbrojtëse ose të paraqesë kundërshtimet lidhur me rëndësinë materiale ose të nxjerrë të gjitha materialet që nuk janë objekt i kërkesave për masa mbrojtëse ose i kundërshtimeve mbi rëndësinë materiale deri më 18 nëntor 2022”, është shprehur Guillou.

Në urdhrin e dytë i është dhënë afat ZPS-së deri më 13 janar për përpunimin e të gjitha kërkesave që lidhen me rregullin 102(3), ndërsa me të tretin ta bëjë një rivlerësim të materialit plotësues për materialet shfajësuese apo të kërkojë masa mbrojtëse me materialet që lidhen me njoftimin plotësues të saj deri më 16 dhjetor të këtij viti.

Riklasifikimi i provave

Dy urdhra gjyqtari Guillou i ka dhënë drejt kalimit të provave prej konfidenciale në të qasshme për palët. Në vendimin e katërt ai tha se mijëra dokumente të ZPS-së nuk e gëzojnë më statusin e dokumenteve të mbrojtura.

“Urdhërova ZPS-në të bëjë rivlerësimin e materialit provues që nuk ishte konfidencial dhe të bëjë të ditur, ndër të tjera, se cili material mund të riklasifikohet si publik në këtë fazë. ZPS-ja konsideron se 8076 materiale të nxjerra që nuk janë konfidenciale mund të riklasifikohen si publike dhe se pjesa e mbetur e provave duhet të mbeten me klasifikimin konfidenciale për të mbrojtur kufizimin lidhur me materialet e brendshme të punës dhe dhënësit të informacionit për të mbrojtur viktimat e dëshmitarët për të parandaluar çdo cenim të mundshëm të hetimeve aktuale apo të ardhshme dhe për të ruajtur interesin publik të palëve të treta.

“Jam bindur se materialet mund të riklasifikohen si publik. Në përputhje me këtë urdhëroj që materialet provuese të ngritura në propozimin (e ZPS-së) të riklasifikohen si publike dhe urdhëroj ZPS-në që këtë ndryshim të statusit ta reflektojë në sistemin Legal Workflow (v.j sistemi online që përdor gjykata, avokatët e prokurorët e Speciales)”, ka thënë gjyqtari. Si rrjedhojë ai e udhëzoi edhe zyrën administrative të gjykatës t’i riklasifikojë si publike.

Afate brenda vitit u ka dhënë si avokatëve ashtu edhe prokurorëve për t’i dhënë parashtrimet shtesë.

“Urdhëroj mbrojtjen që t’i dorëzojë parashtrimet e saj plotësuese deri të hënën, 14 nëntor 2022 e ZPS-në të përgjigjet deri të enjten 24 nëntor 2022 dhe mbrojtja të kundërpërgjigjet në qoftë se dëshiron deri më 29 nëntor 2022”, ka thënë Guillou.

Në urdhrin e fundit gjyqtari i ka dhënë detyrim prokurorisë t’ia shpalosë avokatëve listën e 40 dëshmitarëve të parë që do të dëshmojnë, bashkë një pjesë të dëshmive të tyre, pa i rrezikuar ata.

“Urdhëroj ZPS-në që kur të bëjë parashtrimin e listës së 40 dëshmitarëve të parë që do t’i thërrasë për të dëshmuar të bëjë të ditur se cilat pjesë të dëshmive të tyre përkatëse do të kërkojë t’i paraqesë si prova sipas rregullës 154”, ka thënë gjyqtari në urdhrin e tij të fundit.

Dhomat e Specializuara dhe kryetarja e tyre, Ekaterina Trendafilova, kanë paralajmëruar përfundimin e gjykimit paraprak dhe nisjen e gjykimit kryesor në tre muajt e parë të 2023-tës.

Ankesat për mosnxjerrjen e dokumenteve

Në seancën e të premtes mbrojtja ka përsëritur ankesat e saj për vonesën e ZPS-së me nxjerrjen e dokumenteve. Gregory Kehoe, avokat ish-presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se janë në pritje të mijëra materialeve nga prokuroria.

e fundit e materialeve që ka bërë ZPS-ja (në bazë të asaj që kemi marrë) i kemi kërkuar që të na jepen edhe 6000 materiale të tjera. Pra, të njëjtat parashtrime do t’i merrni edhe nga ekipet e tjera mbrojtëse. Pra, ne e kemi të vështirë që të mbajmë evidencë lidhur me atë çfarë po marrim dhe çfarë na mungon nga dokumentet që po nxjerr prokuroria. Edhe një herë po e përsëris se ky është një problem që po përsëritet dhe po e diskutojmë vazhdimisht”, ka thënë ai.
E njëra prej avokateve të ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, Annie O’Reilly, ka rekomanduar që prokurorisë t’i jepet një afat maksimal prej 6 javësh për t’i përpunuar materialet.

“Sa u përket diskutimeve inter-partes (ndërmjet palëve) kemi bërë diskutime me ZPS-në lidhur me 790 dokumente. Po presim informacion plotësues të saktë nga ZPS-ja dhe kur ta marrim, siç shpresojmë këtë informacion do të mund ta bëjmë parashtrim të qartë lidhur me atë sa i përket njoftimit të fundit sa i përket rregullit 102 (3). Sikurse e theksoi mbrojtja e Selimit, ne i kemi kërkuar të gjitha dokumentet e përfshira në atë njoftim plotësues dhe duke qenë se bëhet fjalë për më pak dokumente duket e arsyeshme që nxjerrja e tyre mund të bëhet brenda një afati prej 5 deri në gjashtë javë nga dita e sotme”, është shprehur O’Reilly.

Përgjigjja e prokurorit Matt Halling ishte se është i gatshëm ta bëjë nxjerrjen e dokumenteve brenda javësh.

“E para është e thjeshtë, dokumentet që janë kërkuar pas njoftimit fillestar të rregullës 102 (3) që nuk mbuloheshin nga afati i majit do të nxirren javët në vijim. Dy pikat e tjera janë ato që pretendohet se mungojnë nga afati i 30 shtatorit dhe nga njoftimi… Sa u takon materialeve që mbrojtja thotë se mungojnë duhet së pari të krahasojë këto dokumente që ata thanë se mungojnë me ato që ua kemi dhënë për të përcaktuar se cilat dokumente janë zgjidhur”, ka thënë Halling.

Katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për periudhën mars 1998-shtator 1999. Zyra e prokurorit të specializuar ka dorëzuar më 29 prill një aktakuzë të ndryshuar kundër Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, në të cilën pretendohet se të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetisht.