Mbi dy mijë qytetarë të Deçanit u helmuan nga uji i pijes në korrik të vitit 2021. Për të kryer analiza dhe hetimet të njëjtët u udhëzuan nga Komuna e Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që të mos konsumojnë më ujin.
Edhe një muaj pas, banorët e Irzniqit nuk po e pinë ujin që vjen nga ujësjellësi.
“Nuk jemi duke e konsumu këta ujë, prej problemit që ka qenë më herët për shkak të helmimit të dhjetra banorëve të këtij fshati. Ende nuk kemi asnjë njoftim zyrtar as nga komuna e as nga kompania që e menaxhon ujin as që duhet të pihet ose jo”, thotë Shaqir Dacaj, banor i Deçanit.
Ata detyrohen që të bëjnë kilometra të tëra ose edhe të hapin puse për të siguruar ujin e pijes.
“Për higjienë ne i kemi puset, ato shtëpi që nuk kanë puse është dashur të hapin tani në këtë kohë për higjienë. Për të pirë jemi duke i ble”, thotë Dacaj.
Banorët nuk janë të kënaqur as me shërbimet e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidrodrini”, sipas tyre probleme e mungesë të ujit të pijshëm ka pasur edhe para helmimit.
Mungesa e ujit në Deçan sipas ekspertëve është më e dukshme pas fillimit të ndërtimit të hidrocentraleve.
Adem Lushaj thotë se dëmtimet që janë shkaktuar në shtratin e lumit e futja në gypa e tij kanë ndikuar në shfaqjen e këtij problemi.
“Është degraduar natyra e Deçanit, është rrënuar pjesa epërme e rrugës dhe ka humbje të burimeve ujore që ndihet tash mungesa e ujit edhe në qendren e qytetetit e lokalitete të tjera në Deçan. Këtu thuhet se është humbë burimi i ujit”, thotë Lushaj.
Lushaj shton se me Ligjin për zonat e veçanta janë të ndaluara edhe disa veprimtari të tjera, por që ky ligj nuk është përfillur kur është lejuar ndërtimi i hidrocentraleve.
“Pos që është bërë degradimi i natyrës, rrezikimi i minimumit ekologjik për mbijetesën e florës dhe faunës në shtratin e lumit, këtu është bërë edhe shkelja e ligjit të vitit 2008 për zonat e vecanta. Dihet se brenda zonës së vecantë është e ndaluar edhe ndërtimi i hidrocentraleve, shfrytëzimi i zhavorrit dhe disa kushte të tjera.”
Ndërtimi i hidrocentraleve pos që ka shkaktuar humbjen e ujit në Grykën e Deçanit u ka sjellë edhe banorëve telashe të tjera.
Muharrem Lulaj që nga 2012-a është në proces gjyqësor me pronarët e “Kelkosit”, meqë digën e kanë ndërtuar në pronën e tij.
“Që nga viti 2012 kanë fillu punimet këtu, unë e kam paditë në Gjykatë në Deçan, tani në Supreme në Dhomë të veçantë, lënda ende është e papërfunduar, leja iu ka lëshu për hidrocentral edhe ky është uzurpim i pronës sepse është private, unë jam pronari”, thotë Lulaj.
E një betejë të ashpër pronësore Komuna e Deçanit është duke e zhvilluar me Manastirin e Deçanit.
Ky institucion fetar, që gëzon të drejtën për pronësinë e një hapësire prej 6 kilometrash me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ende nuk e lejon Komunën e Deçanit të asfaltojë rrugën që çon për në Plavë, për të cilën kjo komunë u detyrua të ndërtojë një qarkore.